Merkel takon Zaevin: Emri, pranë zgjidhjes

19:16 | 21 Shkurt 2018
Arbresh.info

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve lidhur me emrin e Maqedonisë nuk ka qenë kurrë më pranë sesa tani.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se të dyja palët po lëvizin drejt një zgjidhjeje.

Kjo, sipas numrit një të qeverisë gjermane do t’i shërbente jo vetëm Maqedonisë, por të gjithë rajonit, pasi do të nënkutonte një konflikt më pak.

Ndërsa theksoi se për herë të parë të dyja palët kanë interes konkret për zgjidhjen e çështjes, Kancelarja tha se ushtrimi i presionit gjatë negociatave në shumicën e rasteve nuk ndihmon.

Sipas kryeministrit Zoran Zaev, i cili gjendet në një vizitë zyrtare në Berlin, për Maqedoninë nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian dhe NATO.

Ai shpreson se, përmes reformave që po kryen vendi, edhe me mbështetjen e Gjermanisë e të anëtarëve të tjerë të BE-së, i gjithë rajoni do të ecë përpara në rrugën e integrimit euroatlantik.

Më herët, Merkel zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin grek, Alexis Tsipras, me të cilin ra dakord për mbajtjen e një takimi dypalësh në Bruksel në datën 23 shkurt, në kuadër të një takimi joformal mes udhëheqësve europianë./Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme