Kancelarja Angela Merkel, ndryshe nga vizita e vitit 2014, u prit kësaj here me shumë mirënjohje në Athinë. Tsipras dhe Merkel bëjnë bilancin e një marrëdhënie të trazuar e jo pa konflikte në katër vitet e fundit.
Bllokime të përkohshme të policisë dhe një demonstratë me ndoshta 200 pjesëmarrës, kaq, më shumë nuk mund të përmendet për situatën e sigurisë gjatë vizitës së kancelares Angela Merkel në Athinë të enjten e të premten (10-11.01.). Një program kontrastues krahasuar me vizitën e saj në vitin 2014. Angela Merkel u prit atëherë me protesta të zemëruara dhe parulla armiqësore. Kësaj here ajo pritet shumë miqësisht. „Gjermania dhe ju personalisht e keni mbështetur Greqinë në forma të ndryshme, që të dalë nga gjendja e rëndë e programeve të ndihmës”, deklaroi presidenti grek, Propokopis Pavlopoulos, pas takimit me Merkel të premten.
Theksohen të përbashkëtat
Edhe kryeministri Tsipras nuk i kurseu falënderimet për Merkelin. Megjithë dallimet ideologjike në nivelin politik mes tyre, ia kemi arritur që të menaxhojmë sfidat e krizës dhe të tejkalojmë stereotipet që ekzistojnë mes dy vendeve, tha kryeministri grek. „Ajo që kishte përparësi”, tha Tsipras, „ishte shpëtimi i Greqisë dhe në një farë mënyre edhe i Europës, sepse kriza greke ishte edhe një krizë europiane.” Tsipras siguroi se misioni doli me sukses. „Sot ju vini në një Greqi tërësisht tjetër, që ka rritje ekonomike.”
Edhe kancelarja Merkel lëvdoi përpjekjet e Greqisë që “ka kaluar përmes një kohe shumë shumë të vështirë”. Përpjekjet ia vlejtën, vendi po kthehet në rrugën e rritjes ekonomike, papunësia është ulur dhe ajo është optimiste se Greqia do t’ia dalë, të sigurojë vetë fonde në tregjet financiare. Megjithatë theksoi, se Greqia nuk ka arritur në fund të rrugës së reformave.
Një nga pikat më të rëndësishme të kësaj vizite ishte Europa. Dy tema u vunë në qendër: çështja e refugjatëve dhe zgjedhjet europiane. Kancelarja Merkel mori shumë mirënjohje nga Athina për qëndrimin e saj në krizën e refugjatëve. Në Athinë, pati vetëm falënderime, që Merkel i la kufijtë gjermanë të hapur në vitin 2015, ndryshe Greqia do të kishte pësuar kolaps. Po ashtu u vlerësua angazhimi i saj për arritjen e marrëveshjes me Turqinë, dhe këmbëngulja e saj për një politikë europiane të azilit.
Si kancelarja Merkel ashtu edhe kryeministri Tsipras theksuan rrezikun e lëvizjeve populiste dhe nacionaliste në Europë, gjithnjë në rritje. Ata ishin të një mendimi, se në BE në të ardhmen do të qëndrojnë përballë njëri-tjetrit dy kampe: ai proeuropian dhe antieuropian. Proeuropianët duhet të punojnë së bashku. Manfred Weber, kandidati i partive popullore europiane për president të Komisionit Europian e përmblodhi së fundmi këtë problmeatikë në Berlin, kur tha, se forcat konservatore, socialdemokrate, të majtët dhe liberalët proeuropianë duhet të punojnë në të ardhmen së bashku.
Emri i Maqedonisë
Me fjalë të qarta kancelarja Merkel mbështeti ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës. Me këtë mund të zgjidhet grindja e gjatë për çështjen e emrit me Greqinë. Kjo është një gjë e mirë për Shkupin, për Athinën dhe për BE. Anëtarësimi i vendit me emrin Maqedoni e Veriut kontribuon në stabilizimin e Ballkanit. Por për rëndësinë e marrëveshjes, ajo nuk mundi të bindë, kreun e opozitës dhe partisë simotër konservatore të Merkelit, Kyriakos Mitsotakis. Ai këmbënguli në refuzimin e marrëveshjes, e këtë nuk e ndryshuan as bisedimet me kancelaren Merkel të premten.
Çështja e dëmshpërblimeve të luftës u trajtua pa tension nga palët. Kryeministri grek e preku këtë temë, po ashtu edhe presidenti Pavlopoulos, duke të lënë përshtypjen, se kjo është më shumë pjesë e programit. Pavlopoulos deklaroi se pretendimet greke janë „ligjërisht në fuqi dhe juridikisht të kërkueshme”, dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet para një gjykate ndërkombëtare. Por për qeverinë gjermane ky kapitull është mbyllur si nga ana juridike ashtu edhe politike. Merkel nuk e përdori këtë formulë të njohur tashmë, por tha se „ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë historike. Ne e dimë se sa dhimbje kemi sjellë si Gjermani e kohës së nacionalsocializmit.” Prandaj „duam të bëjmë gjithçka që të kemi marrëdhënie të mira me Greqinë dhe të mbështesim dyanshëm njëri-tjetrin.” Më shumë se kaq sensibilitet në deklarata politike nuk mund të ketë./DW/
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Kurti sot pret në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë s...
Konjufca sot pret në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonis...
Moti sot me diell dhe vranësira të shpërndara
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...