Me short do të bëhet renditja e listave garuese në zgjedhjet lokale

09:13 | 18 Shtator 2017
Arbresh.info

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) pritet sot ose më së voni nesër të mbajë short për konfirmimin e listave të vetme të kandidatëve për këshilla të komunave dhe për kryetarë të komunave për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Lista e kandidatëve për anëtarë të këshillit dhe lista e kandidatëve për kryetar komune, të cilat janë parashtruar nga parashtruesi i njëjtë marrin numër të njëjtë rendor në të gjitha komunat.

Radhitjen e kandidatëve në listë, KSHZ-ja e konfirmon me short dhe ai është i njëjtë në të gjitha komunat, ndërsa në komunën ku nuk do të ketë përfaqësues të vet, numri përkatës i parashtruesit do të hiqet dhe në vendin e tij do të shkruhet numri rendor i bartësit tjetër pa lënë vend të zbrazët.

Më së voni deri më 21 shtator, megjithatë, Komisionet komunale zgjedhore duhet t’i publikojnë listat e kandidatëve për anëtarë të këshillit dhe për kryetar komunash. Në këto komuna në të cilat të paktën 20 për qind nga qytetarët e flasin gjuhën zyrtare të ndryshme nga ajo maqedonase, publikohen krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, edhe në gjuhën zyrtare dhe shkrimin që e përdorin qytetarët në atë komunë.

Nesër (19 shtator) përfundon edhe afati prej pesë ditëve kur partitë politike mund të dorëzojnë kërkesë për regjistrim, plotësim ose fshirje të të dhënave nga Lista Zgjedhore. Listën Zgjedhore në të cilën janë bërë të gjitha ndryshimet të shtypura në formë certifikate, KSHZ-ja e mbyll më së voni deri më 24 shtator. KSHZ-ja e nënshkruan Listën Zgjedhore dhe certifikatat në të, më së voni deri më 29 shtator.

Zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni janë caktuar për më 15 tetor, ndërsa do të zbatohen në 3.480 vendvotime në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Fushata zgjedhore do të fillojë më 25 shtator në mesnatë dhe do të përfundojë më 13 tetor. Raundi i dytë i zgjedhjeve është caktuar dy javë më vonë, më 29 tetor./Gazeta Express/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme