Google ADS

Me 6 qershor do të thuhen fjalët përfundimtare për tentativë vrasjen ndaj Ziadin Selës

16:12 | 31 Maj 2018
Arbresh.info

Gjykimi për rastin e dhunës ndaj Ziadin Selës në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë do të vazhdojë me 6 qershor me fjalët përfundimtare.

Në seancën e stome përfundoi procedura e dëshmisë pasi janë parë një video e re dhe dy video që janë parë edhe më herët.

Prokurori Darko Jakimovski nga gjykata kërkoi më shumë kohë që t’i përgatisë fjalët përfundimtare me qëllim që të mund t’i përfshijë edhe pjesët e seancës së sotme gjyqësore, siç tha, për mundësi për ndryshimin e aktakuzës, transmeton Portalb.mk.

Abedin Abduli në fund të seancës së sotme tha se videoja që është parë sot është diçka që i kishte munguar prokurorisë dhe gjykatës për t’u konfirmuar saktë veprimet dhe faji i të akuzuarve.

“Kemi qenë dëshmitarë të veprimeve konkrete të më pak shtatë nga të akuzuarit në tentativë vrasjen ndaj Ziadin Selës. Presim që pas seancës së sotme gjykata të sjellë vendim që opinioni e pret”, tha Abduli.

Avokatët e të akuzuarve pas pauzës thanë se videoja duhet të shihet edhe një herë që të vërehen dhe konstatohen saktë të gjitha momentet dhe më pas gjykatësja Sllavica Andreevska lejoi që edhe një herë të shihet videoja.

Prokurori në fund ë seancës dorëzoi ekspertizë të përgatitur nga Instituti i mjekësisë gjyqësore të Fakultetit të Mjekësisë.

Ndryshe, sot në fillim të seancës, me propozim të palës mbrojtëse janë rishikuar dy video të cilat janë propozuar si dëshmi dhe që janë parë njëherë në Gjykatë, me qëllim të konfirmimit të ndodhive në Kuvend.

Në videon e parë janë parë lëvizjet e të akuzuarve dhe të dëshmitarëve në korridorin para qendrës për informim të Kuvendit. Gjithashtu edhe në videon e dytë janë parë shkallet para hyrjes në Kuvend që çojnë në hapësirat e qendrës për informim ku shihet lëvizja e të akuzuarve.

Me propozim të Prokurorisë sot është parë edhe një video tjetër. Prokuroria theksoi se në video dëgjohet edhe zë. Në video shihet ngjarja në qendrën e informimit në këndin ku kanë qenë deputetët. Shihet sulmi i njerëzve që kanë hyrë në Kuvend dhe se si ata i sulmojnë deputetët dhe hedhin gjësende të ndryshme ndaj tyre. Shihet edhe prania e të akuzuarve në këtë rast. Shihet edhe Sela në këndin e qendrës për informim dhe dëgjohet se si njëri nga të akuzuarit thotë “Sille këndej”, “Mbaje”, Sille këndej! Kopil!. Shihet edhe si është tërhequr Sela nga dikush nga këndi i deputetëve në mes të sallës. Vërehet një grup i madh i njerëzve që e godasin Selën, edhe pse duke qenë i shtrirë ata kanë vazhduar ta godasin.

Për ngjarjet e 27 prillit akuzohen Kire dhe Cane Gjeorgjievski, Oliver Oshavkovska, Sasha Cenkov, Nikollçe Dimitrievski, Aleksander Janevski – Toshta, Andrej Micov, Nikolla Vojminovski, Kosta Delov dhe Stojan Pavllovski – Kobra.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme