Nga koha kur kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, është kthyer në pushtet në vitin 2010, Budapesti ka krijuar marrëdhënie më të ngushta me Pekinin dhe ka hapur dyert për rritjen e investimeve dhe të ndikimit kinez.
Pavarësisht disa skandaleve dhe polemikave gjatë kësaj periudhe, një sondazh i ri tregon se mbështetja për Kinën është në rritje – shumica e të anketuarve hungarezë thonë se e miratojnë rritjen e ndikimit kinez në vendin e tyre.
Sondazhi nga Qendra e Evropës Qendrore dhe Lindore për Studime Aziatike (CEECAS), me seli në Budapest, ka zbuluar se Kina, në përgjithësi, ka një imazh pozitiv në mesin e publikut hungarez dhe se shumica e të anketuarve në këtë vend kanë pikëpamje për çështje të rëndësishme politike, të cilat janë “të favorshme për pikëpamjet kineze”.
Hulumtuesit, megjithatë, kanë nxjerrë në pah një polarizim të madh sa u përket çështjeve të politikës së jashtme: votuesit e partisë qeverisëse Fidesz kanë ndarë pikëpamje jashtëzakonisht pozitive për Kinën, ndërsa votuesit e opozitës kanë shprehur pesimizëm dhe shqetësim.
Sondazhi, i cili është kryer në prill – gjatë zgjedhjeve që kanë konfirmuar pushtetin e Orbanit dhe të partisë së tij, Fidesz – është publikuar këtë muaj.
Fushatën e kanë dominuar tema të brendshme, por çështjet që lidhen me investimet dhe borxhin kinez – përfshirë huatë për një linjë hekurudhore që lidhet me Serbinë dhe planet për të ngritur një kampus për një universitet të Kinës në Budapest – kanë hedhur hije mbi votimet.
Disa analistë dhe ligjvënës të opozitës kanë paralajmëruar se projektet mund të bëhen një “kalë i Trojës” për interesat dhe ndikimin e Pekinit brenda Bashkimit Evropian.
Matja e ndikimit kinez
Sondazhi ka zbuluar se 51 për qind e të anketuarve hungarezë ndiheshin optimistë për rritjen e gjurmëve të Kinës në vendin e tyre.
Gjurmët e Kinës në Hungari janë rritur në vitin 2010, kur Orban ka nisur politikën e tij të Hapjes Lindore, e cila ka pasur synim kultivimin e lidhjeve të ngushta me Pekinin dhe Moskën dhe tërheqjen e investimeve nga këto vende, pas krizës financiare globale.
Qe atëherë, Orban ka kultivuar marrëdhënie të fuqishme me Pekinin dhe Budapesti ka bllokuar disa përpjekje të BE-së për të censuruar Kinën, për shkak të shqetësimeve për shkelje të të drejtave të njeriut në Hong Kong dhe në provincën perëndimore kineze, Ksinjiang.
Sipas sondazhit, shumica e të anketuarve e shohin nivelin aktual të ndikimit kinez në Hungari si “të lartë” ose “shumë të lartë”.
Ky perceptim mund të jetë edhe për shkak të numrit në rritje të fushave, ku Budapesti dhe Pekini bashkëpunojnë. Përveç investimeve dhe rritjes së mbështetjes diplomatike, Kina ka dërguar në Hungari edhe ventilatorë, maska dhe vaksina gjatë pandemisë së koronavirusit. Hungaria është një nga pak vende evropiane që ka miratuar vaksinën Sinopharm të Kinës kundër koronavirusit.
Ndihma nga Kina është e vogël në krahasim me atë që ka ofruar Brukseli, por sondazhi ka nxjerrë në pah se “ndihma dhe roli i perceptuar i Kinës në menaxhimin e pandemisë në Hungari duket se kanë pasur një ndikim të rëndësishëm pozitiv në perceptimet publike”.
Fidesz dhe Fudan
Ndoshta projekti më i diskutueshëm, që lidhet me ndikimin kinez në Hungari, është plani për të ndërtuar një kampus në Budapest për Universitetin prestigjioz Fudan të Shangait. Projekti ka shkaktuar protesta të mëdha në kryeqytetin hungarez, në qershor të vitit 2021, pasi dokumentet që kanë rrjedhur në publik, kanë treguar se Qeveria do të marrë hua prej 1.5 miliard dollarësh prej një banke kineze, për të mbuluar pjesën më të madhe të shpenzimeve.
Marrëveshja do ta bëjë Fudanin universitetin e parë kinez në BE. Sipas Qeverisë hungareze, ai do t’i rrisë standardet e arsimit të lartë në vend.
Sondazhet – përfshirë atë të CEECAS-it – kanë treguar se kjo temë i ka ndarë qytetarët hungarezë.
Nuk është për t’u habitur që mbështetja për ndikimin kinez në Hungari është gjithashtu e lartë në mesin e votuesve të Fidesz-it.
Derisa më shumë se tri të katërtat e mbështetësve të Fidesz-it janë në favor të një pranie më të madhe kineze, një studim i vitit 2021 nga Fondi gjerman Marshall ka zbuluar se 62 për qind e evropianëve të anketuar, kanë qëndrime negative ndaj Kinës dhe rritjes së ndikimit të saj global.
Putin, Xi dhe Ukraina
Nga koha kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në muajin shkurt, lufta është bërë temë kryesore në Hungari. Në sondazh, të anketuarit janë pyetur edhe si i shohin ata lidhjet e ngushta midis Kinës dhe Rusisë.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, kanë shpallur partneritet “pa kufij” gjatë një takimi të përbashkët në Pekin, më 4 shkurt.
Gjatë gjithë luftës, Kina ka ndjekur një linjë të sikletshme diplomatike – ka shmangur mbështetjen e hapur për luftën ruse, por i ka heshtur edhe kritikat e saj ndaj pushtimit. Pekini, gjithashtu, ka shmangur shkeljen e sanksioneve perëndimore kundër Moskës, ndërkohë që është bërë blerësi kryesor i naftës së papërpunuar ruse, duke i siguruar Kremlinit mjete të rëndësishme.
Sondazhi ka zbuluar se rreth 48 për qind e të anketuarve kanë një pikëpamje të pafavorshme ndaj partneritetit dhe ndikimit të tij në politikën ndërkombëtare.
“Kjo është pyetja e vetme, në të cilën shumica nuk ka pasur perceptim pozitiv ndaj rolit të Kinës”, thuhet në sondazh.
11 vjeçarit në Zhur i sekuestrohet Lamborghini, babai nuk pr...
Bunjaku reagon ndaj kryetares së Autoritetit te Konkurrencës...
Moti i keq në Shqipëri/ Bllokohen disa akse rrugore, disa zo...
Kauza e bashkimit kombëtar nuk ishte një qëllim, por një mje...
Konjufca pret në takim një delegacion nga Azia Jugore, disku...
Regjimenti i Mjekësisë së FSK-së, merr pjesë në një ushtrim ...