Google ADS

MASH: 321 shkolla kërkuan mësim me prani fizike

17:38 | 16 Shtator 2020
A. B.

Nuk dihet akoma fati i kërkesave të shkollave drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për mësim të kombinuar ose me prezencë fizike nga tetori. Ky dikaster për Alsat sqaron se Inspektorati i arsimit akoma është duke shqyrtuar situatën nëpër shkollat të cilat kanë bërë kërkesë për mësim me prezencë fizike.

“Deri më tani, janë dorëzuar 494 aplikime për 321 shkolla (fillore dhe të mesme). Të njëjtat kërkesa i përcillen Inspektoratit Shtetëror të Arsimit për inspektimin e situatës në terren, pas çka vijon analizimi i tyre, dhe ato kërkesa që plotësojnë të gjitha kushtet nga protokollet për arsim me prezencë fizike do t’i dorëzohen Qeverisë për miratim”, thonë Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

MASH-i thotë se ka ofruar zgjidhjen më të mirë balancuese me mësim të kombinuar, që nënkupton mundësinë që disa shkolla të zhvillojnë mësim me prezencë fizike. Por, nuk i ka kthyer përgjigje Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme me të cilën do të konfirmonte në mënyrë taksative pranimin e disa dhe refuzimin e kërkesave të tjera. Sipas UNSHM-së, Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë në mënyrë indirekte tashmë kanë pranuar tre prej pesë kërkesave të tyre. Opsioni për bojkotimin e procesit për ta mbetet i hapur në rast se mësimi i kombinuar nuk zbatohet edhe në shkollat me më shumë nxënës, ku nxënësit do të ndahen në dy grupe, njëri fizikisht prezent në shkollë dhe grupi tjetër mësim online, me rotacion.

“U pranuan tre nga pesë pikat e Unionit të cilat ne i paraqitëm për mësim të kombinuar por nuk kishim asnjë lloj “krediti” nga ministritë. Prandaj ky amendament përfshin më shumë detaje se çfarë kërkojmë ne si union. Unioni javën e ardhshme ka një mbledhje të përgjithshme në të cilën nxënësit do ta kenë fjalën e fundit se a do të ketë bojkot ose jo. Ne si Union e kemi paraqitur bojkotin”, deklaroi Naser Veliu, Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme.

UNSHM-ja kishte kërkuar shtyrje të fillim vitit shkollor për më 1 tetor, gjë që më vonë u zbatua. Ndër kërkesat kishte qenë që secila shkollë të mund të vendosë se çfarë mësimi do të ndjekë, nëse i plotëson kushtet, mësim praktik ose me prezencë fizike dhe shtimin e masave higjienike./Alsat/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme