Një varg takimesh dhe vizitash të nivelit më të lartë, disa prej të cilave edhe me karakter historik, marrëveshje të nënshkruara bashkëpunimi, përpjekje për thellimin e bashkëpunimit, shënuan vitin 2021 në marrëdhëniet maqedonaso-greke, që duket se kanë hyrë në rrjedhë normale, lëvizin duke shënuar rritje e sipër, akulli është thyer që moti, ndërsa besimi forcohet gjithnjë e më shumë, por në të njëjtën kohë Greqia mbetet mbështetëse e fortë e perspektivës së BE-së të Maqedonisë së Veriut, njofton AIM.
Presidenti, kryeministri, kryeparlamentari, shefi i diplomacisë, zëvendëskryeministrat, ministrat e Qeverisë në disa raste, qoftë zyrtarisht ose për të marrë pjesë në konferenca, kanë vizituar Athinën, ndërsa kanë ekzistuar edhe udhëtime kthyese në Shkup, takime të nivelit të lartë që kanë kaluar gjithmonë në atmosferë pozitive dhe konstruktive.
Ishte historike vizita e parë zyrtare e presidentit Stevo Pendarovski, i cili në fillim të tetorit, në nivelin më të lartë, u prit me të gjitha nderimet shtetërore nga presidentja greke Katerina Sakelaropulu, realizoi një varg takimesh, në mesin e të cilave edhe me kryeministrin grek Kirjakos Micotakis.
Bëhet fjalë për vizitën e parë të nivelin më të lartë mes dy shteteve, duke marrë parasysh atë se deri më tani, asnjë president i vendit tonë nuk e ka vizituar Athinën, e as ndonjë president grek nuk ka qenë në Shkup.
Porositë nga takimet ishin se Greqia mbështet fuqishëm perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, se ka përkushtim nga të dyja vendet për respektimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, duke u bazuar në parimin “pacta sunt servanda”, por edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe duke bërë përpjekje të sinqerta dhe dypalëshe për afrimin më të madh të dy vendeve dhe dy popujve.
Në intervistën për AIM, në fund të vizitës së parë historike dyditore zyrtare në Greqi, presidenti theksoi se vizita si e tillë tregon se marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve po hyjnë në rrjedhë normale, edhe pse është vetëm fillimi i një procesi më të gjatë në të cilin ai personalisht pret që “dinamika e marrëdhënieve politike në nivelin më të lartë politik, kryeministror, presidencial, ministror, do të vazhdojë të zhvillohet, por ritmi është premtues”.
“Në të dyja takimet e mia, flas për këto në nivelin më të lartë politik me kryeministrin dhe Presidentin, nga ana ime thashë: do të doja që kjo lloj vizite të bëhej rutinë. Që nga momenti kur do të bëhen rutinë, kjo do të thotë se marrëdhëniet dypalëshe janë normalizuar plotësisht. Ende nuk janë normalizuar, e dini që nuk janë. Ato, në një rast gjatë takimit, kryeministri Micotakis i quajti “plagë ende të freskëta” në segmente të caktuara të spektrit politik në Republikën Helene. Pra, kjo ekziston te ne, ekziston rezistencë, ende ekzistojnë njerëz që nuk besojnë në Marrëveshjen e Prespës, përkundër përfitimeve evidente të saj, efekteve pozitive në zhvillimin e shtetit. Ju e dini që në Greqi, ju jeni këtu me vite të tëra, kjo rezistencë ishte edhe më e madhe,
sidomos në ato rajone që gravitojnë drejt kufirit me ne. Kështu që, do të duhet kohë dhe mendoj se do të duhet edukim i gjeneratave të reja, që duhet të edukohen në frymën e solidaritetit dhe tolerancës evropiane”, tha Pendarovski për AIM.
Presidentja greke Katerina Sakelaropulu në fjalën e saj në darkën për nder të Pendarovskit, duke iu referuar rëndësisë së vizitës së parë zyrtare të Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Greqi, theksoi se “tashmë është hapur një kapitull i rëndësishëm në marrëdhëniet tona dypalëshe, që U jep impuls të ri.” .
Vizitën e parë në Athinë si kryetar i Kuvendit, e realizoi edhe Talat Xhaferi, i cili dy javë pas vizitës së Pendarovskit, mori pjesë në Konferencën e kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, ndërsa në margjinat u takua me kryetarin e Parlamentit grek Konstantinos Tasulas.
Në takimin, i cili ishte i pari i këtij niveli, Tasulas dhe Xhaferi kanë biseduar për thellimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit, për çka që të dy, në deklaratat pas takimit, shprehën vullnet dhe gatishmëri.
Tasulasi theksoi se parlamentet që ata i kryesojnë duhet të tregojnë rrugën për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, ndërsa Xhaferi porositi se ky është takimi i parë duhet të jetë nxitje për komunikim dhe bashkëpunim më intensiv të ndërsjellë.
Në deklaratë për AIM, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, komentoi se takimi është në sferën e takimit historik, “duke marrë parasysh se në tri dekadat e kaluara në nivel parlamentar nuk ka pasur komunikim zyrtar në kuptimin e asaj që është bashkëpunim mes dy parlamenteve” dhe shpalosi se Tasulasi ka shprehur “gatishmërinë për të investuar veten në përpjekjet për hapjen e bisedimeve me BE-në”.
Nga ana tjetër, Zoran Zaevi në rolin e kryeministrit qëndroi dy herë në Athinë, në maj, në Forumin Ekonomik Delfi dhe dy muaj më vonë në konferencën e “Ekonomist”.
Gjatë Forumit Ekonomik Delfi, me Zaevin në Greqi ishin edhe ministrat në Qeveri, si dhe zëvendëskryeministri Nikolla Dimitrov, i cili gjithashtu mori pjesë në panel diskutimi.
Kryeministri i atëhershëm u prit edhe nga homologu i tij grek Kirjakos Micotakis, ndërsa vizita dhe takimi u përputhën edhe me fillimin e planifikuar të turizmit grek dhe hapjen e kufijve edhe për Maqedoninë e Veriut, pas një pauze prej 14 muajsh.
Një ditë para hapjes së kufijve, e menjëherë pas takimit me Micotakisin, Zaevi përmes Fejsbukut ka njoftuar se pika kufitare Evzoni do të hapet për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut që kanë dokumente lidhur me Kovid-19.
Në intervistë për AIM, kryeministri i atëhershëm ka sqaruar se lajmi për kufijtë është njoftuar drejtpërdrejt në takimin me Micotakisin, derisa nga ana tjetër në raport me pjesën politike të bisedimeve, janë shqyrtuar mundësitë për bashkëpunim, veçanërisht në ekonomi dhe energjetikë, ndërsa Zaev në bisedën me
korrespondenten nga Athina, zbuloi se kryeministri grek ka zhvilluar disa ide pozitive që do të mund të ndihmonin në heqjen e bllokadës bullgare.
Në fillim të vitit dhe derisa Greqia ishte në karantinë të rreptë, kreu i diplomacisë Bujar Osmani vizitoi Athinën, u prit nga presidentja greke Katerina Sakelaropulu, u takua me kryeministrin grek Kirjakos Micotakis dhe me ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias, me të cilin nënshkroi tre memorandume mirëkuptimi: në fushën e mbrojtjes civile, edukimit diplomatik dhe memorandumit mes “Invest North Macedonia” dhe “Enterprise Greece”, ndërsa realizoi takim edhe me kreun alternativ të diplomacisë greke Miltiadis Varviciotis.
Maqedonia e Veriut dhe Greqia nënshkruan Marrëveshjen për interkoneksionin e gazit natyror
Gjatë vizitës së dytë të ish-kryeministrit Zoran Zaev në Athinë në fillim të korrikut kur ai mori pjesë në konferencën “Ekonomist” dhe kryesonte delegacionin tonë, në të cilin ishin zëvendëskryeministri për çështje ekonomike dhe koordinim të resorëve ekonomikë dhe investimeve Fatmir Bytyqi, si dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, është nënshkruar edhe marrëveshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë për zhvillimin e interkoneksionit për gaz natyror mes dy vendeve.
Marrëveshja mes dy qeverive, u nënshkrua më 9 korrik nga Bekteshi dhe ministri grek i Mjedisit Jetësor dhe Energjisë, Kostas Skrekas, i cili porositi se bëhet fjalë për marrëveshje të rëndësishme për të dy vendet dhe për rajonin.
Bekteshi theksoi se është hap i madh drejt përmirësimit të infrastrukturës energjetike të shtetit tonë, interkonektori do të kontribuojë në diversifikimin e furnizimit, do t’i japë Maqedonisë së Veriut mundësinë që të furnizojë me gaz natyror fqinjët veriorë, ndërsa ka rëndësi të veçantë edhe për marrëdhëniet me Greqinë.
Skrekas tha se marrëveshja ndërqeveritare për ndërtimin e gazsjellësit, që do të fillojë nga Nea Mesimvria dhe do të përfundojë në Gjevgjeli arrihen dy gjëra: do të përmirësojë rolin gjeopolitik të Greqisë, duke marrë parasysh se do të forcojë në mënyrë plotësuese rolin e saj “si udhëkryq energjetik, i cili nga sistemi ynë kombëtar do të transferojë gazin natyror në Maqedoninë e Veriut”, e nga ana tjetër vendi ynë do të ketë mundësinë të zvogëlojë ndikimin në mjedis, të arrijë tranzicionin energjetik dhe gradualisht, të zëvendësojë me gaz natyror format më ndotëse të shfrytëzimit të prodhimtarisë së energjisë elektrike.
Dy muaj pas marrëveshjes së nënshkruar në nivel politik, pasoi edhe marrëveshja për bashkëpunim për zhvillimin dhe ndërtimin e interkonektuesit të gazit natyror mes drejtorit ekzekutiv të Resurseve Kombëtare Energjetike (RKE) Bajram Rexhepi dhe drejtoresha ekzekutive e Operatorit kombëtar grek për transmetimin e gazit DESFA Maria Rita Galli.
Marrëveshja i vendos dhe përkufizon parimet e bashkëpunimit, kushtet dhe kornizën kohore për ndërtimin e gazsjellësit, që është parashikuar të jetë i gjatë 123 kilometra dhe të shtrihet nga Nea Mesimvria drejt Negotinës, përmes Gjevgjelisë dhe të lidhë dy sistemet kombëtare për transmetimin e gazit natyror.
Kapaciteti fillestar do të jetë 1.5 miliardë metër kub në vit, me mundësi zgjerimi në 3 miliardë metër kub në vit, janë bërë edhe studime me qëllim që gazsjellësi të ketë specifikime përkatëse për transportin e hidrogjenit të gjelbër, ndërsa projekti vlerësohet se do të kushtojë rreth 110 milionë euro.
Duke folur në Forumin Energjetik të Evropës Juglindore („Southeast Europe Energy Forum 2021″),, në margjinat u nënshkrua marrëveshja, zëvendës-kryetari i Maqedonisë së Veriut përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resoret ekonomike dhe investime Fatmir Bitiqi theksoi se ndërtimi i interkonjektorit me Greqinë do të na jep mundësinë të pozicionohemi si qendër rajonale për furnizimin me gaz të vendeve të rajonit të Evropës Juglindore.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Naser Nuredini, pas pjesëmarrjes së tij në Forumin Ekonomik Delfi, në një intervistë për AIM, u shpreh i bindur se ka shumë potencial për bashkëpunim me Greqinë, e theksoi rëndësinë e interkonektorit, por sqaroi se është vetëm një nga projektet në të cilat punohet dhe shtoi se me autoritetet greke, ndajnë dhe diskutojnë qasje të ndryshme për menaxhimin e mbeturinave të ngurta, për ekonominë qarkore, por edhe për ujërat e Liqenit të Prespës dhe Dojranit dhe të lumit Vardar.
Në konferencat në Greqi, si në Athinë ashtu edhe në Selanik, mori pjesë edhe zëvendëskryetari i Qeverisë i përgjegjës për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, derisa nga ana tjetër vitin 2021 e shënuan edhe vizita në “drejtim të kundërt”, respektivisht nga Athina drejt Shkupit.
Në fund të gushtit, kreu i diplomacisë greke Nikos Dendias dhe zëvendësministri i Jashtëm Kostas Frankojanis me ftesë të ministrit Bujar Osmani vizituan Maqedoninë e Veriut, ndërsa një muaj e gjysmë më vonë, dhjetë ditë pas vizitës së Pendarovskit në Athinë, në Shkup qëndroi kreu alternativ i diplomacisë greke Miltiadis Varviciotis.
Ka pasur bashkëpunim edhe në fusha të tjera, Greqia i ka dhuruar vaksina Maqedonisë së Veriut, ka ndihmuar në betejën e pandemisë, ndërsa marrëdhëniet janë përmirësuar edhe në mbrojtjen dhe bashkëpunimin e armatave.
Të dy vendet nënshkruan edhe program për bashkëpunimin dypalësh ushtarak për vitin 2021, që përfshinte ndihmë dhe mbështetje për çështje që kanë të bëjnë me integrimin e armatës në strukturat e NATO-s, trajnime dhe edukim në qendrat e armatës greke, bashkëpunim për një varg temash të përbashkëta dhe interes ushtarak dhe u zbatuan një varg ushtrimesh të përbashkëta dhe stërvitje për hedhje me parashutë dhe kërcime nga fluturaket, për zhytje etj. të forcave për operacione speciale të Maqedonisë së Veriut, F-16 grekë fluturonin mbi hapësirën tonë ajrore.
Vitin e kaluar, e shënoi edhe fakti që Maqedonia e Veriut edhe zyrtarisht u bë me ambasadoren e saj të parë në Greqi, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike sipas Marrëveshjes së Prespës, pasi Zyra për lidhje në Athinë u bë ambasadë.
Në ceremoni në Pallatin presidencial në Athinë, më 15 qershor, ambasadorja Lidija Boshkovska ia dorëzoi letrat kredenciale presidentes greke Katerina Sakelaropulu.
Gjatë audiencës, e cila ka kaluar në atmosferë të përzemërt, Sakelaropulu dhe Boshkovska, sipas informacioneve të AIM, kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale, për bashkëpunimin, ekonominë, pandeminë, por edhe për turizmin.
Vitin e kaluar, Greqia theksoi intensivisht mbështetjen e saj për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, mbështetje që mbetet e fortë dhe e pandryshuar, derisa nga ana tjetër SIRIZA opozitare e theksonte rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës, që e theksonte veçanërisht Qeveria aktuale greke pas paralajmërimit se Zoran Zaevi do të tërhiqet nga posti kryeministror./AIM/
Greqia thotë se mbështetja e saj për anëtarësimin e Shqipëri...
Konjufca priti në takim lamtumirës ambasadorin amerikan, i s...
Gjesti: S’dua të puth sherk!, Xuxi ironizon: Ma mirë me lexu...
Austria do të vazhdojë me mbështetjen e Kosovës në fushën e ...
Forcat ruse largohen nga vendlindja e Assadit
Në Zubin Potok po patrullojnë ushtarët letonezë të KFOR-it