Ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka kërkuar azil politik në një përfaqësi hungareze jashtë Maqedonisë, kumtuan autoritetet hungareze, të cilat hodhën poshtë çfarëdo lloj involvimi në ikjen e tij.
Siç shkruan agjencia e lajmeve e Maqedonisë MIA, Gjergjeli Gjuliash, shefi i Kabinetit të kryeministrit hungarez Viktor Orban, nuk zbuloi se në cilin vend Gruevski e ka parashtruar kërkesën dhe si ka arritur në Shërbimin për emigracion dhe azil në Budapest ku i ka dorëzuar dokumentet dhe është dëgjuar nga nëpunësit. Ai deklaroi se Hungaria nuk ka marrë kërkesë zyrtare nga Maqedonia për ekstradim të Gruevskit, por nëse merr kërkesë të tillë, rreth saj do të veprohet në pajtim me ligjet.
Në Maqedoni, ndërkaq, po përgatitet kërkesa me dokumentacion voluminoz për ekstradimin e Gruevskit, që sipas zëdhënësit qeveritar Mile Boshnjakovski, do t’i parashtrohet autoriteteve hungareze në ditët në vijim.
“Ministria e Drejtësisë nga gjykatat kompetente e grumbullon dokumentacionin e plotë në raport me rastin. Ai do të përkthehet dhe do t’iu parashtrohet organeve kompetente hungareze, përkatësisht Ministrisë së Drejtësisë të Hungarisë. Në dokumentacion, mes tjerash do të ketë edhe arsyetim përse Nikolla Gruevski duhet të ekstradohet në Maqedoni. Bëhet fjalë për dokumentacion voluminoz, rreth 400 faqe, por pa dallim të numrit të faqeve, kërkesa do t’i parashtrohet zyrtarisht Hungarisë gjatë këtyre ditëve”, tha Boshnjakovski në konferencën për shtyp në Qeveri.
Paralelisht me këtë, po zbatohen edhe dy procedura në MPB me qëllim që të konstatohet mënyra në të cilën Gruevski ka ikur nga Maqedonia. Sektori i kontrollit të brendshëm zbaton procedurë për involvim të mundshëm të nëpunësve policorë se e kanë ndihmuar, ndërkaq plotësisht Sektori për punë të brendshme Shkup e konfirmon mënyrën e ikjes, si dhe personat e mundshëm të jashtëm të cilët e kanë ndihmuar.
Pas një sërë lajmesh jozyrtare në mediume rreth rutës së lëvizjes së Gruevskit, Sektori për kufij dhe emigracion pranë Policisë së Shtetit të Shqipërisë mbrëmë kumtoi se ish-kryeministri i Maqedonisë ka dalë nga Shqipëria me datën 11 të këtij muaji në orën 19:11 përmes vendkalimit Hani i Hotit-Muriqan, në kufirin shqiptar-malazez si udhëtar në automobil me targa CD1013A, pronë e ambasadës së Hungarisë në Tiranë.
Policia shqiptare, në kumtesën e së cilës nuk kishte informatë përmes cilit vendkalim Gruevski ka hyrë në territorin shqiptar, theksoi edhe se në ditën kur Gruevski ka qenë në territorin e Shqipërisë nuk ka ekzistuar kurrfarë urdhër-arresti nga Maqedonia apo Interpoli.
Pasoi edhe kumtesa nga Ministria malazeze e Punëve të Brendshme, gjithashtu me konfirmimin se Gruevski ka hyrë dhe ka dalë nga Mali i Zi me datën 11 të këtij muaji, si dhe se policia malazeze në këtë rast “në tërësi i ka respektuar procedurat ligjore”.
Paraprakisht, gazeta beogradase “Politika” kumtoi se Gruevski me pasaportë të rrejshme natën e ka kaluar kufirin mes Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe ilegalisht ka hyrë në Tiranë, ku ishte pranuar në Ambasadën hungareze. Me fluturimin e parë të mëngjesit të kompanisë “Malev” drejtpërdrejt ka arritur në Budapest.
Ambasada hungareze në Tiranë dje as nuk e konfirmoi, as nuk e demantoi këtë informatë. Për televizionin “Top Channel” nga Ambasada shkurtër u përgjigjën se “nuk i komentojnë proceset që janë në rrjedhë”, duke u nisur nga fakti se kërkesa e Gruevskit për azil po shqyrtohet në Budapest.
Mediumet paraprakisht lajmëruan se nga rishikimi i sistemit TIMS në vendkalime, ka dalë se ai në territorin shqiptar nuk ka hyrë përmes vendkalimit zyrtar, që e lë të hapur mundësinë se ai ta ketë bërë atë ilegalisht përmes zonës së gjelbër, pas çka ka shkuar në ambasadën hungareze në Tiranë, ku edhe ka kërkuar azil.
Lidhur me arratisjen e Gruevskit dhe shkrimet në disa mediume se Gruevski ka ikur në Hungari me pasaportë bullgare, dje me demant u lajmërua edhe Ministria bullgare e Drejtësisë, duke kumtuar se Gruevski nuk ka parashtruar dokumente për shtetësi bullgare dhe se nuk i është dhënë pasaportë bullgare.
Për Gruevskin dhe ikjen e tij për azil politik në Hungari dje në telefon biseduan edhe shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dhe kolegu i tij hungarez, Peter Sijarto, Nga Minsitria hungareze e Punëve të Jashtme informuan se Sijarto i ka thënë Dimitrovit se ikja e Gruevskit për azil është çështje juridike, e jo politike dhe se autoritetet hungareze do të vendosin sipas të drejtës ndërkombëtare.
Reagim për ikjen e Gruevskit arriti edhe nga Departamenti amerikan i Shtetit. Përfaqësuesi i DASH-it për “Politiko.eu” deklaroi se SHBA-të konsiderojnë se Gruevski duhet ta vuajë dënimin me burg në vendin e tij.
“Në proces juridik dhe transparent Nikolla Gruevski u dënua nga gjykata e Maqedonisë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe u dënua me dy vite burg. Aktvendimi u konfirmua edhe nga instanca të tjera gjyqësore. Plotësisht, Gruevski është i akuzuar edhe në katër lëndë të tjera penale. Ne konsiderojmë se procedurat gjyqësore në Maqedoni duhet të vazhdojnë, ndërkaq Nikolla Gruevski të përgjigjet para sistemit juridik të Maqedonisë”, thotë përfaqësuesi i DASH-it.
Për ikjen e Gruevskit u prononcua edhe Partia evropiane e të Gjelbërve, e cila në kumtesë akuzon se kryeministri hungarez Viktor Orban dëshiron të provokojë konflikt.
“Kryeministri Orban është gjeni kur bëhet fjalë për gjetje të mënyrave të reja për t’u travestuar sundimi i së drejtës, ‘suksesi’ i tij i fundit është të pranojë kriminelin politik nga Maqedonia fqinje si refugjat, në kundërshtim me ligjet kundër refugjatëve të cilat vetë i vendosi”, thuhet në kumtesën e nënshkruar nga nënkryetari Rajnhard Butikofer dhe Monika Frasoni.
Osmani: E ardhmja e Kosovës në BE është e pashmangshme e për...
71 aksidente brenda 24 orëve në Kosovë
Ancelotti bëhet trajneri më i trofeshëm në histori të Real M...
Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit që shkaktoi aksident t...
Dy raste të vjedhjeve të rënda në Ferizaj, policia jep detaj...
Vidhen para e gjësende tjera në Lupq të Podujevës