Maqedonia, në prag të sanksioneve nga BE-ja

11:52 | 25 Mars 2017
Arbresh.info

Rritja e presioneve nga bashkësia ndërkombëtare mund të ndihmojë në kapërcimin e krizës qeveritare në Maqedoni, e cila tani ka marrë edhe dimensionin e krizës etnike dhe ndëretnike, vlerësojnë njohësit e çështjeve ndërkombëtare. Komentet vijnë pasmesazheve të fundit në Shkup të komisionarit Johanes Hahn, i cili kërkoi respektimin e shumicës së re parlamentare dhe lejimin e formimit të qeverisë.

Mersel Bilalli, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Fon, thotë për Radion Evropa e Lirë se Maqedonia ka shansin e fundit për të evituar pasojat nga kriza e gjatë politike dhe sipas tij, masat ndëshkuese do të nisin që nga zyrtarët nëse edhe më tej vazhdojnë të shpërfillin thirrjet për kapërcimin e krizës institucionale.

“Mendoj se fillimi i sanksioneve do të jetë i lidhur me personalitete të caktuara, siç është presidenti i shtetit, ish-kryeministri, ndoshta edhe struktura të biznesit të lidhura me VMRO DPMNE-në, por edhe lobe tjera. Pra, unë mendoj se faza e parë mund të jenë sanksione personale e ndoshta më vonë ato mund të zgjerohen që për fat të keq, pasojat do t’i ndiejnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, thotë Bilalli.

Europarlamentari Ivo Vajgl në një deklaratë për mediet maqedonase tha se VMRO-ja duhet të respektoj rrethanat e reja dhe të mos e pengojë kalimin e pushtetit te shumica e re.

Ai tha se në rast se nuk ka përmirësim të gjendjes, ndoshta do të përdoren edhe instrumente tjera apo sanksione, ku bën pjesë edhe ndihma financiare. Vajgl deklaroi se ish-kryeministri Gruevski në takimet e realizuara me euro-parlamentarët u ka thënë atyre se “do ta çojë deri në vend(politikën e tij), pasi nuk i shkohet në burg”. Vajgl ka thënë se nëse ky do të ishte motivi, atëherë edhe një kohë të gjatë nuk do të ketë kompromis. Këto pretendime të euro-parlamentarit janë hedhur poshtë nga VRMO-ja, duke i quajtur “manipulime në shërbim të opozitës”.

Edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Denko Malevski, nuk e përjashton edhe mundësinë e vendosjes së sanksioneve, por fillimisht ndaj zyrtarëve, përfshirë edhe drejtuesit e VMRO-së, të cilët me të gjitha mënyrat e mundshme po pengojnë konstituimin e Kuvendit dhe të institucioneve tjera.

“Sanksionet mund të çojnë në prishjen e sistemit, por sa i përket individëve, sigurisht se Brukseli ka mekanizma të tillë dhe mund të aplikojë diçka të tillë. Paralajmërimet e tyre janë shumë serioze, më serioze edhe nuk mund të jenë. Ata janë kundër nxitjes së nacionalizmit, në veçanti, në kohën kur presin ndryshimet në pushtet apo respektimin e rezultatit zgjedhor dhe lejimin e funksionimit të shumicës së re parlamentare, ashtu siç ndodh në çdo shtet demokratik”, vlerëson Malevski.

Aplikimi eventual i sanksioneve, sipas komunikologut Mitko Gaxhovski, mund ta përkeqësojë gjendjen në Maqedoni, pasi pasojat do të bien edhe mbi qytetarin e rëndomtë.

“Nëse shteti përballet me izolim ndërkombëtar, kjo do të ketë pasoja të mëdha, madje edhe deri në pamundësinë e pagesës së pensioneve dhe pagave, që mund të çojë në situata të pakontrolluara dhe kjo gjithsesi se nuk do të ishte në favor të VMRO-së dhe të pushtetit të saj, pasi e gjitha kjo do t’u faturohej atyre nga ana popullit”, thotë Gaxhovski.

Partitë e shumicës së re parlamentare, LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët që kanë 62 deputetë, të premten kanë njoftuar se kandidati tyre për kryetar të Kuvendit është Talat Xhaferi nga BDI-ja, por kandidatura e tij duhet të kalojë në Komisionin për zgjedhje dhe emërime që drejtohet nga VMRO-ja.

Ajo ka bërë të ditur se do ta kundërshtoj[ çdo nismë që nuk e respekton fituesen e zgjedhjen apo VMRO-në, ndërsa këtë e kanë paralajmëruar edhe protestuesit, por me arsyetimin se do të kundërshtojnë zgjedhjen e çdo kryeparlamentari, i cili, sipas tyre nuk e dënon deklaratën e partive politike shqiptare, me të cilën, siç pretendojnë ata, federalizohet Maqedonia dhe rrënohet karakteri i saj unitar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme