Në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës u shënua Dita Botërore e Veshkave. Për nder të kësaj dite, grupi shkencor i këtij fakulteti, nën drejtimin e koordinatores, Doc. Dr. Arbëresha Bexheti Ferati, organizoi disa ligjërata të shkurtra tematike nga emra eminentë të fushës së nefrologjisë.
Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. Dr. Kastriot Haxhirexha, këtë eveniment e vlerësoi si tejet të rëndësishëm duke shtuar se falë angazhimit të grupit shkencor, sot para studentëve dhe profesorëve trajtohen sëmundjet e veshkave nga eminencat e nefrologjisë shqiptare. Ai apeloi deri te studentët që në evenimente të këtilla ta kenë sa më aktiv sensin e kureshtjes gjatë prezantimeve, sepse përmes tyre mund të arrijnë të përfitojnë njohuri të reja dhe të avancohen sa më shumë në karrierën e tyre.
Zëvendësministri i shëndetësisë në vendin tonë, Dr. Asim Musa, tha se të gjitha institucionet shëndetësore në vendin tonë i kushtojnë rëndësi të veçantë kësaj dite, duke iu bashkuar iniciativës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shënimin e kësaj dite, ngase siç u shpreh ai, është e ditur botërisht se veshka është një organ shumë i rëndësishëm në organizmin e njeriut dhe se shumë sëmundje, qofshin ato akute apo kronike për një kohë të shkurtër apo ndër vite e sulmojnë funksionin e saj. Ai po ashtu apeloi deri te të gjithë qytetarët që sa më shumë të kenë kujdes ndaj këtyre sëmundjeve me qëllim parandalimin me kohë të kësaj sëmundjeje.
Këtë eveniment e përshëndetën me fjalë rasti nënkryetari i Dhomës së Mjekëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dr. Sci. Ylber Besimi dhe kryetari i Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë, Prof. Dr. Nevzat Elezi.
Akademiku nga Republika e Shqipërisë, Prof. Dr. Nestor Tereska, para studentëve prezantoi ligjëratën e tij kushtuar historikut të zhvillimit të nefrologjisë, hemodializës dhe transplantimit të veshkave, kurse Prof. Dr. Ymer Elezi nga Republika e Kosovës, në prezantimin e tij, kryesisht u fokusua në menaxhimin e insuficiencës renale klinike. Ligjëratat u përmbyllën me prezantimin e Prof. Dr. Lutfi Zylbeharit, i cili para të pranishmëve e trajtoi temën “Rabdomioliza dhe insuficienca renale akute”.
Në përmbyllje të këtij aktiviteti, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për punën dhe kontributin e tyre të dhënë në lëmin e mjekësisë e në veçanti atë të nefrologjisë, ish-Rektorit të Universitetit të Tiranës, Akademik Prof. Dr. Nestor Tereskës dhe Prof. Dr. Ymer Elezit u ndau nga një dhuratë me portretin e themeluesit dhe Rektorit të parë historik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmani.
Erdogan bën thirrje për një embargo armësh ndaj Izraelit
Zbulohet se sa banorë do të hyjnë sot në BBVK
Biden: Armëpushimi është i mundshëm në Liban, por më i vësht...
Përjashtohen me 10 ditë nga seancat deputetët e PD-së Elda H...
Zinedine Zidane nuk kishte asnjë dyshim kur emëroi golin ‘më...
Haradinaj në Universitetin e Chicagos: Kosova pret me paduri...