Shumë pak qytetarë të Maqedonisë së Veriut janë në dijeni se çdo ngacmim, qoftë përmes rrjeteve sociale apo në jetën e përditshme, paraqet vepër penale, sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut.
Me ndryshimet ligjore në Kodin Penal, të cilat u bënë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në shkurt të këtij viti, ngacmimi paraqet vepër penale.
Në këto ndryshime, ngacmimi përfshin ndjekjen e vazhdueshme në mënyrë të paautorizuar, persekutimin dhe ndërhyrjen në jetën personale të tjetrit, krijimin e kontaktit të padëshiruar me lëvizjen në hapësirën ku ai person gjendet.
Po ashtu, ngacmimi përfshin edhe abuzimin duke përdorur të dhënat personale, duke përdorur mjetet e komunikimit, ngacmimin ose frikësimin, shkaktimin e ndjenjës së pasigurisë, ankthit ose frikës për viktimën.
Megjithëse çdo e dyta grua ngacmohet të paktën një herë në jetë, shumica prej tyre ngurrojnë t’i raportojnë rastet tek autoritetet për shkak të rrethit familjar, sipas Marta Gusarit, avokate dhe aktiviste për të drejtat e grave.
“Çdo e dyta grua të paktën një herë në jetë është viktimë e përndjekjes, veçanërisht në kohën e sotme kjo bëhet përmes rrjeteve sociale, po edhe në jetën reale. Sfidë mbetet sa këto gra janë të vetëdijshme se janë pre e dhunës psikologjike që u bëhet, aq më pak dinë ku dhe si ta adresojnë atë”, thotë Gusar për Radion Evropa e Lirë.
Përfshirja e ngacmimit si vepër penale në ndryshimet e Kodit Penal u imponua si nevojë pas rastit “Javna Soba” (Dhoma Publike), ku përmes rrjetit social Telegram , vajza, kryesisht të mitura, ishin ngacmuar dhe shantazhuar.
Atyre u ishin publikuar edhe të dhënat personale dhe fotografi me përmbajtje eksplicite.
Një nga viktimat ishte dhe vetë Marta Gusar.
Ajo thekson se ndryshimet në Kodin Penal mundësojnë që për abuzuesit e të dhënave personale, veçanërisht kur viktimë janë vajzat e mitura, e kanë lehtësuar rrugën e denoncimit po edhe dëshmimit se persona të caktuar në mënyrë të paautorizuar janë ndjekur dhe të dhënat nga jeta e tyre personale janë keqpërdorur ose shantazhuar.
Prokurorja Ana Gogovska-Jakimovska, e cila merret me rastin e parë të denoncuar për përndjekje, thotë për Radion Evropa e Lirë se qytetarët akoma e kanë tepër të huaj termin ngacmim, dhe se nuk dinë ta definojnë atë edhe në rastet kur ata ballafaqohen me rastet të tilla, qoftë në rrjetet sociale apo në përditshmëri.
“I akuzuari gjatë periudhës 26 shkurt deri më 9 maj në mënyrë të paligjshme në vazhdimësi ka ndjekur një çift bashkëshortësh, u ka telefonuar dhe përmes SMS porosive i ka kërcënuar se do t’ua publikojë fotografitë dhe të dhënat e tyre”, thotë ajo.
Në nenin 144 A të Kodit Penal thuhet se “ai që me këmbëngulje, pa autorizim ndjek, përndjek apo në ndonjë mënyrë tjetër ndërhyn në jetën personale të një tjetri, vendos apo këmbëngul të vendosë kontakt të padëshiruar me lëvizje në hapësirën ku ndodhet ai person, me keqpërdorim të shfrytëzimin të të dhënave personale, me përdorim të mjeteve për informim publik apo mjeteve të tjera të komunikimit, apo në mënyrë tjetër abuzon psikikisht, shqetëson apo frikëson dhe me atë do të shkaktojë ndjenjë të pasigurisë, shqetësimit apo frikësim për sigurinë e tij apo sigurinë e ndonjë personi të afërt të tij, grupi etnik ose racor ose përkatësie fetare, dënohet me burg nga një deri në pesë vjet”.
Bashkim Selmani, ish-gjykatës, thotë për Radion Evropa e Lirë se problem më vete paraqet dhe mungesa e mekanizmave funksionalë për vërtetimin e dëmit jomaterial që pësojnë viktimat e përndjekura apo të ngacmuara në mënyrë të vazhdueshme në rrjetet sociale.
“Është një betejë shumë e madhe, sepse nuk mund të dihet dëmi psikologjik që i shkaktohet viktimës që ndiqet në mënyrë të paligjshme, sa ka vuajtur viktima deri në momentin që merr guximin ta denoncojë si rast”, thotë Selmani.
Ai nënvizoi se të rinjtë rastet e tilla nuk i paraqesin “pasi kanë frikë mos shkaktojnë dëme më të mëdha në rrethin ku jetojnë, në familje”, duke shtuar se “e gjithë kjo shkon në interes të autorëve dhe viktima viktimizohet edhe më shumë”.
Ai thekson se krahas ndryshimeve ligjore duhet gjetur mekanizma në mënyrë që qytetarët rastet e tilla t’i denoncojnë./rel/
Vrau 14 vjeçarin, Martin Cani “arrest në burg” për Mario Për...
Ku mos mu HUTU me BLACK FRIDAY Artmotion
FSK testoi kapacitetet e komunikimit C4I
Si shkak i erërave të forta vazhdojnë problemet me energji
Driloni befason Drenushën me deklaratë: 15 vjet diferencë në...
Aksident mes një motoçiklete dhe një veture në Prishtinë, lë...