Google ADS

Maqedonia e Veriut, vidhen shenjat e komunikacionit

23:53 | 13 Shkurt 2021
Arbresh.info

Shenjat e komunikacionit në rrugët e Tetovës vazhdojnë të jenë cak i personave të pandërgjegjshëm edhe sot e kësaj dite. Ndonëse kjo dukuri viteve të fundit ishte më pak prezent, megjithatë, nëpër rrugë më pak të frekuentuara, më pak të ndriçuara, persona të panjohur i dëmtojnë ose i vjedhin këto shenja.

Sipas të dhënave të Komunës së Tetovës, brenda një viti dëmtohen rreth 30 shenja të komunikacioni në vende të ndryshme të qytetit të Tetovës. “Nga ajo që kemi evidentuar deri më tani, brenda vitit persona të pandërgjegjshëm vjedhin ose dëmtojnë rreth 30 shenja të komunikacionit në rrugë të ndryshme. Bëhet fjalë për një dukuri, e cila na përsëritet thuajse çdo vit”, thonë nga Komuna e Tetovës, raporton Koha.

Për të mos mbetur pa shenja, Sektori për komunikacion pranë Komunës së Tetovës, sërish gjatë kësaj periudhe ka dalë në terren dhe janë duke u vendosur shenja të reja, me qëllim që vozitësit por edhe qytetarët të mos mbeten pa shenja në komunikacion dhe ato informuese. Por, ajo që vërehet tash është se Sektori përgjegjës për vendosjen e shenjave të komunikacionit në Komunën e Tetovë tashmë ka vendosur shenja me gjatësi më të lartë, gjegjësisht deri në katër metra, me qëllim që qytetarët të mos munden të arrijnë që t’i dëmtojnë, por edhe vjedhin. Banorët e Tetovës nuk janë optimistë se kjo do të ndikojë që të mos dëmtohen shenjat, ngase ai person që është prirur të bëjë dëm, të njëjtin do ta bëjë edhe sikur më lartë të ishin të vendosura. “Ka persona që me çdo kusht dëshirojnë të bëjnë dëm dhe të shkatërrojnë pronën publike, prandaj ai që ka vendosur që të bëjë dëm, të njëjtin do e realizojë sado që të jenë të lartë shenjat”, thotë një banor nga Tetova.

Por, njohësit e rrethanave të komunikacionit pohojnë se megjithatë vendosja e shenjave të komunikacionit në këtë lartësi është në kundërshtim me rregullat e vendosjes së tyre. “Standardet janë të qarta sipas nenin 92 të Rregullores për vendosjen e shenjave të komunikacionit, ku qëndron se shenjat në vendbanime vendosen në lartësi nga 0.3 deri në 2.2 metra lartësi. Vendosja në një lartësi më të madhe është ndoshta për të garantuar një siguri më të madhe për këmbësorët në zonën ku ndodhen shenjat, por në anën tjetër zvogëlohet dukshmëria për vozitësit ”, thotë Zoran Gjorgjevski, inxhinier i komunikacionit.

Në të kaluarën, shenjat e komunikacionit në Tetovë janë vendosur brenda standardeve që kërkohen në kuadër të rregullores për vendosjen e tyre. Krahas kësaj, problem në vete është se zëvendësimi i atyre që janë dëmtuar kushton shumë për Komunën e Tetovës. Në këtë drejtim, nga Komuna e Tetovës apelojnë që qytetarët të kenë më shumë kujdes me shenjat e komunikacionit.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme