Maqedonia e Veriut sot shënon 33-vjetorin e pavarësisë së saj nga ish-Federata jugosllave, përmes një referendumi popullor, me të cilin u shpall shtet i pavarur dhe sovran.
Referendumi në atë kohë u bojkotua nga shqiptarët në Maqedoni, të cilët kërkuan statusin e autonomisë dhe nuk ishin të kënaqur me pozitën e arritur në Kushtetutën e re të këtij vendi.
Sipas vlerësimeve shtetërore të asaj kohe, mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”.
Referendumit i parapriu Deklarata për Pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumë partiake e miratoi më 25 janar 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991. Hije në ngjarjet me të cilat u vendosën themelet e Maqedonisë së pavarur, hodhi bojkotimi i referendumit nga ana e një pjese të bashkësisë etnike shqiptare dhe mospërkrahja e Kushtetutës së re nga deputetët shqiptarë. Dhjetë vite më vonë Kushtetuta u plotësua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Shtetësinë e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë, pas çfarë pasuan njohjet nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina…
Shteti u pavarësua monetarisht me vendosjen e denarit më 26 prill 1992, e më pas fitoi edhe Armatën e vet, e cila ditëlindjen e feston më 18 gusht.
Subjektiviteti ndërkombëtar-juridik i shtetit definitivisht u konfirmua më 8 prill 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u pranua si anëtare e 181-të në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Megjithatë për shkak të kundërshtimeve dhe presioneve të Greqisë, për shkak të emrit, anëtarësimi në OKB u bë nën referencën e përkohshme Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.
Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit me Greqinë ishte arritur më 17 qershor 2018, sipas së cilës vendi emërtohej si Maqedonia e Veriut.
Maqedonia e Veriut ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 170 shtete në botë, ndërsa me emrin kushtetues është pranuar nga 135 shtete në mesin e të cilave edhe nga tre anëtaret në Këshillin e Sigurisë – Kina, Federata Ruse dhe SHBA-ja.
Gjatë viteve të kaluara të pavarësisë Maqedonia e Veriut kaloi në një sërë problemesh dhe vështirësish, derisa më 27 mars 2020 u bë anëtarja e 30-të e NATO-s./Klan Macedonia
Njëmbëdhjetë persona të vrarë nga sulmet e Izraelit në Bejru...
Ushtarët e KFOR-it kryejnë patrullime në qytetin e Istogut
Veliaj inspekton terminalin veri-perëndimor: Investim i ri q...
“Është një ushtar, robot, kompjuter”, Conte me fjalë të mëdh...
Kryetari i LDK-së shpalos portretin e Xhemail Mustafës në pë...
Maqedonci dhe Jashari, po marrin pjesë në Forumin Ndërkombët...