Maqedonia e Veriut regjistron disa mutacione të koronavirusit

22:44 | 14 Janar 2021
Arbresh.info

Maqedonia e Veriut ka regjistruar disa mutacione të koronavirusit të ri, por që nuk janë të ngjashëm me variantin e ri të virusit që është paraqitur në Britani të Madhe.

Kjo është bërë e ditur nga Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, duke theksuar se format e reja të detektuara nga laboratorët e Akademisë së Shkencave nuk paraqesin rrezik shtetë për qytetarët dhe institucionet shëndetësore.

“Që nga stina e verës (2020), tek ne janë zbuluar gjashtë apo shtatë mutacione gjenetike në Laboratorin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut. Nuk janë të ngjashëm me variantin e ri të koronavirusit të ri në Britani të Madhe”, theksoi Filipçe.

Ministri i Shëndetësisë ka njoftuar se vaksinat e para anti COVID-19 pritet të arrijnë në Maqedoninë e Veriut pas dy javësh ndërsa u shpreh i bindur se pas muajit shkurt do të ketë normalizim sa i përket furnizimit me vaksina.

“Vaksinat tani më janë rezervuar për vendin tonë dhe bazuar në dinamikën e shpërndarjes presim që dozat e para të arrijnë në shkurt. Sipas planit të kompanisë Pfizer, me rritjen e kapaciteteve të tyre prodhuese dhe të kompanive tjera që janë pjesë të programit “COVAX” unë besoj se pas muajit shkurt do të kemi një proces të shpërndarjes gjithkund dhe me një dinamikë të vazhdueshme”, ka deklaruar Filipçe.

Ai gjithashtu ka njoftuar lehtësimin e masave shtrënguese pas 21 janarit. Objektet e gastronomisë dhe lokalet tjera do të punojnë deri në orën 21:00, në vend të orës 18:00.

Maqedonia e Veriut, që nga muaji mars 2020, ka diagnostifikuar me COVID-19 gjithsej 87.590 persona, prej të cilëve 2.657 kanë vdekur, ndërsa 68.695 janë shëruar kurse raste aktive janë 16.238 persona.

Që nga paraqitja e rastit të parë, në Maqedoninë e Veriut janë testuar mbi 423 mijë persona./REL

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme