Google ADS

Maqedonia e Veriut që në shtator në NATO

23:38 | 21 Janar 2019
Arbresh.info

Marrëveshja e Prespës tashmë është në procedurën e miratimit në Parlamentin grek – së pari në komisionet kompetente, dhe të enjten ose të premten edhe në seancë plenare. Është pothuajse e sigurt se kryeministri Aleksis Csipras e ka shumicën e nevojshme, por edhe shumicën e dëshiruar për ratifikimin e saj. Nevojitet shumicë nga të pranishmit në seancë – për shembull, nëse në sallë janë 290 nga 300 deputetë, Marrëveshja kalon me 146 vota “Për “.. Por, Ciprasi dëshiron që Marrëveshja të marrë shumicë absolute ose të paktën 151 vota “Për”. Llogaritjet thonë se deri më sot ai mund të llogarisë në 153 vota në mbështetje të Marrëveshjes së Prespës, pas ndarjeve të fundit në partinë POTAMI dhe të tjerët nga PASOK.

Pasi që Marrëveshja e Prespës të kalojë në parlamentin grek, topi hidhet në Bruksel. Është planifikuar që protokolli për pranimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO të nënshkruhet nga ambasadorët e 29 shteteve anëtare. Në rastin e anëtarit të fundit – Malit të Zi, protokollin e nënshkruan ministrat e Jashtëm. Për Maqedoninë e Veriut, është opsioni me ambasadorët sepse është më i shpejtë, duke pasur parasysh faktin se ata janë çdoherë të pranishëm në selinë e NATO-s. Vlerësimet e fundit thonë se protokolli do të nënshkruhej për dhjetë ditë – në fund të janarit ose në fillim të shkurtit. Që të mundësohet një korsi e tillë e shpejtë, nevojitet përshpejtim i procedurave të brendshme për miratimin e protokollit aderues në disa vende – anëtare… Sistemet politike të komplikuara veçanërisht kanë Belgjikë dhe Kanada, por sipas lajmeve të fundit, ambasadorët e tyre do të marrin miratimin për ta nënshkruar protokollin brenda afatit të planifikuar. Ambasadorja e SHBA-ve në NATO autorizimin e mori në fund të javës së kaluar.

Pas nënshkrimit të protokollit, Maqedonia e Veriut nuk është anëtare, por do të ketë ulëse në tavolinën e përbashkët të NATO-s. Që anëtarësia të formalizohet, nevojitet protokolli të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare. Siç parashihet në Marrëveshjen e Prespës, fillimisht këtë duhet ta bëjë Greqia. Përvoja me Malin e Zi tregon se duhej një vit protokolli i nënshkruar të ratifikohet nga të gjitha anëtaret. Në rastin tonë, kjo do të thotë se Maqedonia e Veriut do të bëhej anëtare në muajt shkurt – mars të vitit 2020-të. Por, në qarqet diplomatike shpesh dëgjohet se një grup i anëtarëve, në krye me SHBA-në, do të tentojnë ta përshpejtojnë procesin e ratifikimit, që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare që këtë vit. Sipas skenarëve më optimist, ndoshta në shtator ose tetor.

Me Marrëveshjen e ratifikuar të Prespës dhe emrin e ndërruar kushtetues, a mund të ketë pengesa Maqedonia e Veriut në proceset integruese? Me këto çështje merret ky studim me emrin “Maqedonia e Veriut – çfarë më pas” i përgatitur nga një grup profesorësh nga Greqia, Bullgaria dhe Gjermania. Thënë shkurtë, autorët nuk presin të ketë probleme për anëtarësimin në NATO. Por, paralajmërojnë se bisedimet aderuese me BE-në janë proces i gjatë, ku Qeveria në krye me opozitën aktuale greke mund të ballafaqohet me bllokada. Sidomos e ndjeshme do të jetë puna e Komisionit të përbashkët historik- arsimor, zgjidhja e çështjes së banderolave tregtare, fati i përmendoreve të projektit “Shkupi 2014”. Për këtë, autorët e studimit sugjerojnë që BE-ja, paralelisht me Maqedoninë e Veriut, të përgatisë udhërrëfyes për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës dhe me këtë, nga çështje bilaterale të shëndërrohet në çështje multilaterale, në suazat e Unionit. Autorët thonë se me këtë do të ngushtohet hapësira për “grabitjen” e procesit aderues nga një vend- anëtarë i veçantë./Alsat

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme