Partnerët e koalicionit LSDM dhe BDI kanë një shumicë të vogël parlamentare dhe mosbesimi ndaj tyre është shumë i madh, gjë që mund të ndikojë në stabilitetin e qeverisë.
Një ndjenjë entuziazmi dhe shprese mbizotëroi pasi partia socialdemokrate, LSDM, dhe partia më e madhe etnike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), formuan në maj 2017 qeverinë që i dha fund sundimit dhjetëvjeçar të partisë nacionaliste OBRM-PDUKM dhe kryeministri Nikolla Gruevski. Rreth tre vjet më vonë lajmet se këto dy parti do të vazhdojnë të qeverisin u pritën me emocione të përziera dhe zhgënjimi mbizotëron ndaj optimizmit.
Marrëveshja erdhi një muaj pasi socialdemokratët fituan zgjedhjet parlamentare, por nuk arritën të sigurojnë vende të mjaftueshme për të formuar një qeveri të vetën. Socialdemokratët e Zoran Zaevit kanë në parlament 46 deputetë dhe së bashku me 15 anëtarët deputetët e BDI-së vetëm një shumicë fare të vogël në parlamentin me 120 deputetë. Por shumica e vogël në parlament nuk është treguesi i vetëm i një paqëndrueshmërie dhe paqartësie të pashmangshme politike.
Kthesë politike prej 180 gradësh
Zhgënjimi i përgjithshëm publik nga qeveria dhe pandemia e koronavirusit bënë që pjesëmarrja në votime të ishte më e ulëta në historinë e vendit. Kjo e bëri të domosdoshme formimin e një qeverie të re koalicioni.
“Shteti do të vazhdojë të jetë i sigurt, përparimtar dhe i suksesshëm”, tha Zaevi të martën (18.08) kur njoftoi gjatë një konference të përbashkët shtypi me kreun e partisë BDI, Ali Ahmeti, për marrëveshjen për koalicion. Ahmeti, ish-luftëtar guerilas, partia e të cilit përfaqëson shumicën e pakicës etnike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, u përgjigj në mënyrë të ngjashme dhe plot kënaqësi. Të dy politikanët bënë pra një kthesë 180 gradë nga periudha e fushatës elektorale dhe nga viti i fundit i qeverisë së mëparshme, kur ata nuk i kursyen sulmet ndaj njëri-tjetrit.
Sidoqoftë tre vitet e mëparshme të qeverisjes së përbashkët nuk ishin vetëm problematike dhe të pasuksesshme. Qeveria e koalicionit e udhëhequr nga Zaevi arriti të lidhë marrëveshje historike me Greqinë dhe Bullgarinë fqinje dhe duke i shtuar “e Veriut” emrit të vendit e i hapi rrugën për anëtarësimin e plotë në NATO dhe fillimin e bisedimeve të pranimit në BE. Po ashtu u zbatuan edhe disa reforma të brendshme, por ato ishin shumë larg nga sa i duhen vendit për sundimin e ligjit, reformën e gjyqësorit dhe në luftën kundër korrupsionit.
I vlerësuar si një yll i ri i reformave në politikën e Ballkanit nga ndërkombëtarët, brenda vendit vlerësimi për Zaevin shënoi rënie. Të djathtët e kritikonin se u kishte grabitur identitetin kombëtar pas ndryshimit të emrit të Maqedonisë, kurse liberalët ishin të pakënaqur me ritmin e ngadaltë të reformave të qeverisë. Në pamundësi për të balancuar midis dy kampeve gjatë fushatës dhe në një shoqëri shumë të polarizuar, Zaevi vendosi t’i kundërvihet narracionit nacionalist të opozitës duke mbrojtur marrëveshjen e emrit dhe duke fajësuar BDI-në për reformat e pasuksesshme të vendit. BDI u përgjigj me një agjendë nacionaliste duke kërkuar një kryeministër etnik shqiptar në një qeveri të ardhshme.
Kompromis i ndërlikuar
Javët e negociatave të ndërlikuara përfunduan me një marrëveshje kompromisi, sipas së cilës Zaevi do të marrë detyrën për një mandat të plotë para se t’ia kalojë postin e kryeministrit BDI-së gjatë 100 ditëve para zgjedhjeve të ardhshme që pritet të zhvillohen në vitin 2024. Marrëveshja mund të tingëllojë mirë në teori , por zbatimi praktik i saj lë shumë pyetje të hapura.
Kjo është një martesë për nevojë dhe komoditet. Nga kjo lidhje nuk pritet ndonjë politikë: vetë historia e fundit e marrëdhënieve midis dy partive dhe e marrëveshjes së koalicionit tregon që më shpejt se vonë që të dyja partitë do të kërkojnë partnerë më të përshtatshëm në parlament. Sipas socialdemokratëve BDI-ja nuk është e gatshme të mbështesë dhe të shtyjë përpara një agjendë qeveritare me të vërtetë reformiste që do t’i hapë vendit rrugën për një anëtarësimi të plotë në BE.
Nga ana tjetër BDI e sheh Zaevin dhe politikën e tij të “një shoqërie për të gjithë” si një rrezik për promovimin e mëtejshëm të të drejtave etnike shqiptare dhe ekzistencën e vet si një kampion i vetëshpallur i atyre të drejtave. Dhe ndërsa rruga pro-evropiane e vendit nuk duhet të rrezikohet nga asnjë skenar, grindja e brendshme dhe papajtueshmëria e partive në pushtet mund të rezultojnë në një shpërbërje të shpejtë të koalicionit. Ndoshta para zgjedhjeve lokale të planifikuara të zhvillohen vjeshtën e ardhshme./DW
“Kjo dëshiron që unë të them kam pëlqim për të”, Driloni fle...
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...
Detaje të reja për të dyshuarin e sulmit në tregun e Krishtl...
Vetaksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, vdes një person
Zëvendëskryeministri italian vjen në Kosovë, viziton KFOR-in...