Maqedonia e Veriut prej sot plotësisht e integruar ushtarakisht në NATO

09:04 | 16 Nëntor 2021
A. B.

Me nënshkrimin e deklaratës së përbashkët me NATO-n sot zyrtarisht do të përfundojë procesi i integrimit ushtarak të Republikës së Maqedonisë së Veriut në strukturat komanduese dhe në strukturën e forcave të Aleancës.

Për këtë qëllim në vend do të qëndrojë komandanti i Komandës Aleate Supreme të NATO-s për Transformim, gjeneral Filip Lavinj, i cili në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtatmadhori do të realizojë takim me ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe me shefin e SHM, gjeneral-nënkolonel, Vasko Gjurçinovski.

Temë e bisedimeve zyrtare, siç është bërë e ditur në kumtesën e SHM dhe MM, krahas përfundimit të procesit të integrimit ushtarak në strukturat e NATO-s do të jenë aktivitetet në procesin e transformimit dhe modernizimit të Armatës në përmbushjen e qëllimeve të NATO-s për aftësitë dhe njohjen me aktivitetet e planifikuara ushtruese të Armatës në periudhën e ardhshme.

Pas përfundimit të takimeve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtatmadhori, gjenerali Filip Lavinj do të realizojë takim me kryetarin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, pas çka do të pritet edhe nga presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe komandanti suprem i Forcave të Armatosura, Stevo Pendarovski ku do të mbahet edhe ceremoni për nënshkrimin e deklaratës së përbashkët për integrim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në strukturat e NATO-s.

Në ceremoni, pas fjalimeve nga ana e presidentit Stevo Pendarovski, ministres Radmilla Shekerinska dhe gjeneralëve Filip Lavinj dhe Vasko Gjurçinovski, do të vijojë nënshkrimi i deklaratës së përbashkët nga ana e gjeneralëve Lavinj dhe Gjurçinovski me çka edhe formalisht Republika e Maqedonisë së Veriut do të jetë ushtarakisht plotësisht e e integruar në Aleancën NATO.

Përfundimi i procesit të integrimit ushtarak në NATO është dëshmi për përkushtimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në përmbushjen e qëllimeve të dhëna të cilat zhvillohen përmes proceseve transformuese në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Armatë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme