Një pjesë e punëtorëve në fabrikat e vendit marrin paga që janë për 150 euro më të vogla se pagat mesatare prej 400 euro në nivel të shtetit. Të dhënat statistikore tregojnë se punëtorët në fabrikat e lëkurës me 14.900 denarë apo punëtorët në fabrikat e veshmbathjes me 15.702 denarë janë të paguar bile 9000 deri 10.000 denarë më pak se mesatarja në nivel të shtetit prej 24.785 denarë, shkruan gazeta KOHA. Gjithashtu, gati një e katërta e popullatës në shtet ballafaqohet me varfëri të madhe, apo në vitin 2017, 445.000 qytetarë kanë jetuar nën pragun e varfërisë që për një familje katër anëtarëshe është 164.000 denarë të ardhura vjetore.
Sipas profesorit universitar, Neritan Turkeshi, nuk mund të themi se kemi një lëvizje në përmirësimin e butë të situatës sociale në shtet, me masat e ndryshme siç janë rritja e ndihmës sociale, rritja e pagës minimale, rritja e pagës së punëtorëve shëndetësor, apo rritja e paralajmëruar e pagës edhe për administratën e kështu me radhë, mirëpo sipas tij nevojitet një rezultat më i fuqishëm në këtë drejtim.
“Njerëzit në vend janë lodhur më me çështjet e ndryshme politike, dhe besoj se ka ardhur koha krahas realizimit qenësor dhe jo vetëm sipërfaqësor të më shumë reformave, që ekzekutivi ti kushtohet më fuqishëm përmirësimit të ekonomisë, rritjes së pagave e kështu me radhë. Nuk mund të them se në këtë drejtim ka munguar angazhimi i pushtetit, mirëpo sikur na mungon një fokus i gjithëmbarshëm dhe i tërësishëm ndaj ekonomisë dhe biznesit, që do të thotë edhe përmirësimin më të madh të mirëqenies së popullatës”, thotë Turkeshi.
Sipas tij, në këtë drejtim të uljes së varfërisë dhe jobarazisë në të ardhura ku një pjesë e madhe e të punësuarve marrin paga prej 15-16 mijë denarë dhe vetëm mund të ëndërrojnë pagën mesatare prej 24 mijë denarë, nevojitet që të rriten të ardhurat e personave me shkallë të ulët të arsimit, të mbështeten inovacionet me qëllim të rritet punësimi, të mbështetet më shumë inkuadrimi i të papunëve në tregun e punës e kështu me radhë.
“Përkundër problemeve të ndryshme politike që megjithatë duhet të zgjidhen për çdo ditë , javë apo muaj, megjithatë për një bum të vërtetë ekonomik na nevojitet një rritje ekonomike prej së paku pesë për qind në disa vitet e ardhshme që të mund të kemi përfitime më të mëdha , apo që do të ndahet në mënyrë më të drejtë dhe me të barabartë ndër qytetarët . Me fjalë të tjera, që ‘hajrin’ e kësaj rritje ekonomike t’ia shohim të gjithë”, shton Turkeshi.
Në ndërkohë, rroga mesatare në Maqedoninë e Veriut prej afër 400 euro, apo 24.785 denarë, mbulon vetëm harxhimet e ushqimit dhe banimit të vlefshme së bashku 24.332 denarë.
Përllogaritjet e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë tregojnë se shporta konsumuese në muajin prill të këtij viti kishte vlerën e 32.989 denarë në raport me pagën mesatare prej 24.875 denarë . Kjo me fjalë të tjera do të thotë se për të siguruar gjërat elementare për një familje katër anëtarëshe, i mungojnë 30 për qind të holla apo afër 8000 denarë, për mbulimin e harxhimeve të shportës sindikale minimale. Shuma prej afër 33 mijë denarë nevojitet për një familje prej katër anëtarësh, e cila jeton në banesë prej 50 metrash katrorë dhe nuk posedon veturë. Në këtë vlerë janë llogaritur 13.909 denarë për ushqim dhe pije, për harxhimet e banimit nevojiten 10.432 denarë, për higjienë nevojiten 2331 denarë , për transport nevojiten 2386 denarë, për veshmbathje nevojiten 2164 denarë, për kulturë nevojiten 1070 denarë dhe për shëndetësi nevojiten 703 denarë.
Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vjedhje në Graçanic...
“Kjo dëshiron që unë të them kam pëlqim për të”, Driloni fle...
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...
Detaje të reja për të dyshuarin e sulmit në tregun e Krishtl...
Vetaksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, vdes një person