Maqedonia e Veriut në pritje të fillimit të negociatave

16:24 | 19 Maj 2021
A. B.

Kryeministri Zoran Zaev shkon brenda javës për herë të dytë për vizitë në Bruksel në përpjekjen e tij të fundit për të prezantuar argumentet e Maqedonisë së Veriut për fillimin zyrtar të negociatave për anëtarësim, shkruan Dojçe Vele.

Zoran Zaev po përsërit vazhdimisht argumentet se është e nevojshme që Maqedonia e Veriut të mbajë Konferencën e parë Ndërqeveritare para përfundimit të presidencës portugeze në mënyrë që BE të ruajë dhe përmirësojë besimin si në vend ashtu edhe në rajon.

Ai gjithashtu përkujtoi se besueshmëria e BE-së në të gjithë rajonin varet nga qëndrimi ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, por gjithashtu vlerëson se stabiliteti rajonal është në pikëpyetje.

“Maqedonia e Veriut i ka përfunduar të gjitha detyrimet e saj që dalin nga lista e kritereve për fillimin e procesit përfundimtar të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Vendi ka një rekomandim pa kushte për të filluar negociatat”, tha kryeministri Zaev. Ai përsëriti se nuk do të pranojë fillimin e negociatave me BE-në në kurriz të identitetit dhe të gjuhës maqedonase.

“Përfaqëuesit e BE-së e dinë dhe e kuptojnë se identiteti dhe gjuha maqedonasenuk janë dhe asnjëherë nuk do të jenë temë e negociatave. E dinë dhe e kuptojnë se kjo as që ka qenë e as që duhet të jetë në tryezën për bisedimeve për anëtarësimin e RMV-së në BE”, deklaroi kryeministri Zaev.

Ndikim në rritje i Rusisë dhe i Kinës në Ballkanin Perendimor

Kryeministri Zaev paralajmëroi BE-në se nëse nuk fillon së shpejti negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të ketë dëmtojë reputacionin e saj në Ballkan dhe do të humbasë para fuqive rivale.

“Euroskepticizmi po rritet. Dështimi për fillimin e bisedimeve do të prekë jo vetëm vendin tonë dhe Shqipërinë, por edhe rajonin më të gjërë të Ballkanit Perendimor. Nëse BE-ja nuk do të veprojë në përputhje me premtimet e saj në rajon, do të ndikojë edhe në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Dështimi i BE-së në rajon lë hapësirë për ndikimin e Rusisë dhe të Kinës në Ballkanin Perendimor”, u shpreh Zaev.

Shkupi dëbon një diplomat rus

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se bazuar në protokollet ndërkombëtare diplomatike ka dëbuar një diplomat të punësuar në Ambasadën e Rusisë në Shkup. Presidenti Stevo Pendarovski theksoi se nuk bëhet fjalë për improvizime, por se veprimtaria e diplomatit rus është dokumentuar nga ana e shërbimeve kompetente, pa dashur të komentojë më shumë. Ky dëbim vjen në një moment kur flitet shumë për ndikimin rus në rajon.

Profesori i sigurisë Marjan Gjurovski thotë se Federata Ruse po përdor dobësinë e BE-së për të pasur nën kontroll vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas Gjurovskit rusët po përdorin mjete klasike politike të ndikimit përmes depërtimit të shërbimeve sekrete ruse në qarqet politike dhe të biznesit të vendet e ndryshme duke shfrytëzuar mjetet energjetike të ndikimit.

Aktualisht Rusia po përpiqet të zgjerojë ndikimin e saj përmes mediave, kulturës, akademisë, organizatave të ndryshme joqeveritare si dhe përmes Kishës Ortodokse Ruse.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme