Google ADS

Maqedonia e Veriut feston 32-vjetorin e pavarësisë

11:31 | 8 Shtator 2023
L G

Maqedonia e Veriut sot feston Ditën e Pavarësisë, 8 Shtatorin. Në vitin 1991 vendi u nda me referendum nga ish-Jugosllavia.

Në vitin 1993, Maqedonia u bë pjesë e Kombeve të Bashkuara nën emrin “Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë”. Emrin e ndërroi sërish në vitin 2018 pas zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Greqinë, duke u quajtur përfundimisht “Republika e Maqedonisë së Veriut” (RMV).

Tashmë Maqedonia është në përbërje të NATO-s që nga viti 2020 dhe synimi është të anëtarësohen në Bashkimin Europian.

“Para 32 vitesh, me shumicë votash të mbi 95 për qind të qytetarëve, u realizua amaneti për shtetin tonë të pavarur maqedonas për brezat pas nesh, zë që jehon nga Ilindeni i vitit 1903 dhe KAÇKM 1944. Tridhjetë e dy vjet më vonë, para nesh është zëri i qytetarëve në përcaktimin shumicë prej 80 për qind për jetën në Europë, në Bashkimin Europian, por në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Kovaçevski.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha se mbeten prioritet qëllimet strategjike për anëtarësim në BE.

“Po rrumbullakojmë 32 vjet nga vendimi historik për referendum në të cilin qytetarët shprehën lirshëm vullnetin e tyre dhe kolegët tanë deputetë e hodhën në letër dhe në jetë atë vullnet për një shtet të pavarur sovran me subjektivitet juridik të njohur ndërkombëtarisht dhe anëtar të barabartë të bashkësisë së kombeve. Synimet strategjike ishin dhe janë prioritetet rreth të cilave bashkohemi si shtet, si politikanë dhe si qytetarë. Gjithmonë me besimin se anëtarësimi në aleancën më të fuqishme ushtarako-politike NATO dhe në Bashkimin Europian, është garancia kryesore për sigurimin e vazhdimësisë”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit./rtv21/

Të ngjashme