Google ADS

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do të kryesojnë me Procesin e Berlinit

17:57 | 3 Korrik 2019
Arbresh.info

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria bashkërisht do të kryesojnë me Procesin e Berlinit për mbështetje të bashkëpunimit rajonal dhe euro-integrimeve të rajonit në 12 muajt e ardhshëm. Kjo do të kumtohet në kuadër të Samitit për Ballkanin Perëndimor në Poznanj të Republikës së Polonisë.

Siç informoi shërbimi qeveritar për shtyp në Samitin e sivjetmë për Ballkanin Perëndimor, i cili këtë vit mbahet në Poznanj të Polonisë, vend i cili gjatë 12 muajve të kaluar ishte kryesues me Procesin e Berlinit në kuadër të të cilit mbahet samiti, kryeministri Zoran Zaev nesër dhe pasnesër do ta kryesojë delegacionin qeveritar.

“Në Samitin për Ballkanin perëndimor në Poznanj, në konferencë të përbashkët për shtyp të kryeministrit Zaev me kryeministrin e Polonisë, Mateush Moravjecki, me kancelaren e RF të Gjermanisë, Angela Merkel, dhe me kryetarin e Qeverisë së Bullgarisë, Bojko Borisov, që do të mbahet të premten në orën 15:00, do të kumtohet se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Bullgarisë do të kryesojnë bashkërisht me Procesin e Berlinit në 12 muajt e ardhshëm. Kryesimi i Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë do të finalizohet në korrik të vitit 2020 me samitin vjetor i cili bashkërisht do të organizohet në Sofje dhe Shkup”, informojnë nga Qeveria.

Nga atje potencojnë se prej fillimit të kësaj nisme, për herë të parë ndodhë një vend anëtar nga Ballkani Perëndimor, kandidat për anëtarësim në BE, siç është Maqedonia e Veriut, të bashkëkryesojë me Procesin e Berlinit dhe së bashku me Bullgarinë, vend anëtar, t’i organizojë dhe koordinojë projektet për mbështetje të bashkëpunimit rajonal dhe eurointegrimet e Ballkanit perëndimor.

Programi për shefa të shteteve dhe qeverive i Samitit për Ballkanin Perëndimor do të mbahet më 5 korrik, të premten, kur kryeministri i Republikës së Polonisë, Mateush Moravjecki do t’i presë shefat e delegacioneve të vendeve nga Ballkani Perëndimor, si dhe kancelaren Angela merkel dhe anëtarët e delegacionit qeveritar të RF të Gjermanisë, e cila është mbështetëse e nismës së Procesit të Berlinit dhe ka për qëllim ta ndihmojë përforcimin e kapaciteteve të vendeve nga rajoni në proceset e tyre euro-integruese.

Në sesionin qendror plenar të samitit, mysafirët nga rajoni do t’i përshëndesë edhe Presidenti i Republikës së Polonisë, Andzhej Duda.

Kryeministri Zoran Zaev do të marrë pjesë në të gjitha sesionet punuese të Samitit dhe do të ketë fjalime gjatë drekës së punës, si dhe në sesionin plenar.

Formati ministror i Samitit për Ballkanin Perëndimor fillon më 4 korrik, e enjte, kur në sesionet tematike me kontribut të vet do të marrin pjesë zëvendëskryetari i Qeverisë së RMV0së i angazhuar për resorët ekonomik, Koço Angjushev dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe zëvendëskryetari i Qeverisë së RMV-së për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.

Agjenda e Samiti të Procesit të Berlinit në Poznanj është bazuar në dimensionin politik dhe ekonomik. Sfera kryesore të bashkëpunimit janë ndërlidhja transparente dhe energjetike e Rajonit, integrimi rajonal, sektori i biznesit, bashkëpunimi mes të rinjve, trajtimi i çështjeve bilaterale dhe çështjeve të tjera të hapura politike nga e kaluara e Rajonit, por edhe sfida globale të sigurisë dhe të emigracionit.

Kjo pjesë e Samitit pritet të mbyllet me ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve mes vendeve nga Ballkani Perëndimor me Komisionin Evropian dhe me institucionet financiare evropiane për mbështetje të projekteve ekonomike dhe infrastrukturore të cilat pritet të miratohen gjatë tubimit vjetor të vendeve nga rajoni, të kyçura në Procesin e Berlinit.

Kësaj ceremonie do t’i paraprijë forumi i biznesit, i cili këtë vit i kushtohet digjitalizimit të sektorit publik dhe privat të Ballkanit Perëndimor dhe tregut energjetik në vendet në tranzicion.

Procesi i Berlinit paraqet platformë për dialog dhe bashkëpunim evropian, i cili i jep mbështetje politikës së zgjerimit të BE-së. Çdo vit në Samitet vjetore për rajonin kontribut në atë drejtim jep edhe Forumi i organizatave qytetare, organizatat nga Ballkani Perëndimor dhe nga Bashkimi Evropian.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme