Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar të mërkurën masa të reja për përballje me krizën ekonomike.
Sipas vendimit, nga 20 korriku ndalohet eksporti i grurit, miellit, drurit dhe peletit, ndërsa hiqet taksa doganore për importin e vajit për amvisëri deri në fund të vitit.
Vendimi i Qeverisë vjen pas informacioneve për dyfishimin e çmimit të druve për ngrohje deri në 80 euro për metër kub, dhe të peletit për ngrohje, nga 200 në rreth 400 euro për ton.
“Vendimi është marrë për të evituar keqpërdorimet nga ana e tregtarëve dhe prodhuesve, dhe për të mbrojtur prodhimin vendor, tregun dhe qytetarët”, thuhet në njoftim të Ministrisë së Ekonomisë, e cila ka propozuar masat e miratuara nga Qeveria.
Sipas njoftimit, ngjashëm është vepruar edhe me grurin, miellin dhe prodhimet tjera të grurit, me qëllim të parandalimit të keqpërdorimeve në tregun vendor.
Ndalimi i eksportit të drithërave do të vlejë deri në fund të vitit.
Megjithatë, Qeveria nuk ka dalë akoma me masa për mbrojtje nga kriza e mundshme energjetike.
Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi tha se beson që Qeveria po arrin të përballojë krizën botërore dhe të mbrojë amvisëritë, ndërsa paralajmëroi edhe masa në sektorin e energjetikës.
“Së shpejti do të dalim me masa konkrete. Para dy muajsh kemi bërë thirrje për masa kursimi, por për fat të keq mund të themi se apelet sikur nuk ishin adekuate, apo nuk dhanë ndonjë rezultat. Kështu është edhe në të gjitha vendet tjera. Duhet të bëjmë gjithçka për të mbijetuar në këtë krizë të rëndë”, ka deklaruar Bytyqi.
Nuk dihet ende se kush do t’i ngrohë banorët e Shkupit këtë dimër, pasi BEG (Balkan Energy Group) i humbi të gjitha licencat.
Qeveria thotë se po bëhen përpjekje që Elektroekonomia e Maqedonisë së Veriut (ESM) të marrë përsipër operacionin.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut edhe më parë ka miratuar masa për mbrojtje nga kriza, duke ndaluar eksportin e miellit, dhe në veçanti të vajit, pas dyfishimit të çmimit në shitjen me pakicë, por masat nuk kanë arritur të ndalojnë rritjen e çmimeve.
Masa të tilla janë ndërmarrë edhe për karburantet, por çmimi vazhdon të korrigjohet në baza ditore, varësisht lëvizjes në tregjet botërore./REL/
Haxhiu: Prokuroria Speciale t’i përgjigjet kërkesës së Kurti...
AUV në pritje të analizave për mandarinat e importuara nga S...
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...
Vitia nënshkruan listën finale që i hap udhë jetësimit të Li...
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...