Maqedonia e para në Evropë për nga zbrazëtira ndërmjet të pasurve dhe të varfërve

13:21 | 26 Gusht 2017
Arbresh.info

Analiza e Ministrisë së Financave tregon se qytetarët më të pasur, gjegjësisht 1% e popullatës së Republikës së Maqedonisë fitojnë nga 4180 euro në muaj, ndërsa 99% e mbetur e qytetarëve fitojnë nga 262 euro në muaj, përcjell Telegrafi Maqedoni, dhe kjo bën që zbrazëtira ndërmjet të ardhurave personale të më pasurve dhe pjesës së mbetur të qytetarëve të jetë më e madhja në Evropë.

Kjo nënkupton se 14% e të ardhurave të përgjithshme përfundon te 1 për qindëshi më i pasur i qytetarëve ose thënë ndryshe 3 për qind e qytetarëve fitojnë aq sa pjesa prej 50 për qind e qytetarëve. Vetëm 66 persona kanë arritur të ardhura mbi 500 mijë euro, ndërsa mbi 100 mijë euro kanë arritur 775 persona. Vetëm grupi i fundit sëbashku ka arritur shumën prej 190 milionë euro që është e barabartë me përmbledhjen e të ardhurave të 210 mijë personave me të ardhura më të ulëta. Dhe duhet të përmendet se më të pasurit paguajnë tatim më të vogël si përqindje nga të ardhurat e tyre.

Me shembuj të ndryshëm kjo analizë përfundon me konstatimin se Maqedonia është lider në Evropë sa i përket pabarazisë financiare ndër të gjitha shtetet evropiane që kanë shpallur analiza të tilla.

Qeveria planifikon të zvogëlojë këtë zbrazëtirë me pagë minimale më të lartë, kompensim për punëtorët e falimentuar dhe me reformën tatimore që është në përgatitje.

Nga Ministria e financave thonë se, sipas studimeve të ndryshme, përqindje më të lartë të rritjes ekonomike kanë shtetet me normë progresive tatimore, ndërsa pabarazia më e madhe në ndarjen e pasurisë kontribuon për zhvillimin e parametrave më negativ në sferën sociale, arsim, shëndetësi dhe përqindjen e krimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme