Maqedonia e informon MPJ-në e Greqisë se i ka përmbushur të gjitha kërkesat nga marrëveshja e Prespës

08:34 | 17 Janar 2019
A. B.

Maqedonia mbrëmë ka dërguar notë deri tek Ministria e Jashtme e Greqisë, duke informuar se i ka plotësuar të gjitha kërkesat legjislative të kërkuara nga marrëveshje e nënshkruar në mes Shkupit dhe Athinës për dhënie fund të kontestit disa dekadash për emrin, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Nota e dërguar hap rrugën që Kuvendi i Greqisë të debatojë dhe të votojë për ratifikimin e marrëveshjes së Prespës, dhe me këtë edhe pranimin e Maqedonisë në NATO.

Në notën e dërguar veçanërisht theksohet se termi “maqedonas” i referohet shtetësisë, jo etnitetit dhe se gjuha maqedonase është njohur si zyrtare në kongresin e OKB-së në Athinë në vitin 1977.

“Pala greke është informuar se Republika e Maqedonisë i ka përmbushur kërkesat e brendshme ligjore për hyrjen në fuqi të marrëveshjes përfundimtare dhe se më 11 janar 2019, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë miratoi vendimin për shpalljen e amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV, XXXVI në Kushtetutën e Republikës Maqedoni dhe vendimin për shpalljen e ligjit kushtetues për zbatimin e amendamenteve XXXIII dhe XXXVI në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë”, thuhet në shkrimin diplomatik.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme