Komisioni për Sëmundje Ngjitëse do të sjellë rekomandimin e tij të bazuar në qasjen profesionale për atë se kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare. Liderët e partive politike dolën me qëndrimin e tyre për zgjedhjet, ndërsa zgjidhjen më të mirë të mundshme për të ardhmen e vendit do të tentojnë ta sjellin në takimin e liderëve të caktuar për më 12 maj.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe theksoi se sa i përket zgjedhjeve do të jenë të kujdesshëm për atë se çka do të rekomandojnë javën e ardhshme. Rekomandimi do të bazohet sipas numrave të pacientëve dhe analizës së rasteve.
“Sa i përket zgjedhjeve edhe në këtë moment ne jemi të kujdesshëm në lidhje me atë që do të rekomandojmë javën e ardhshme. Ne jemi duke i monitoruar numrat dhe lëvizjen në nivel kombëtar dhe në qytete dhe rajone të caktuara dhe vetëm atëherë do t’i miratojmë masat. Ato gjithmonë bazohen në mendimin e ekspertëve. Në atë mënyrë, ne do të vazhdojmë të miratojmë vendimet”, tha Filipçe.
Zgjedhjet do të jenë temë e bisedimeve edhe në takimin e liderëve të caktuar më 12 maj te presidenti Stevo Pendarovski. Qëllimi i takimit është që të sillet zgjidhja më e mirë e mundshme për të ardhmen e vendit.
Kryeministri Oliver Spasovski pret që në takim të bisedohet për masat dhe vendimet të cilat janë ndërmarrë që të parandalohet kriza shëndetësore dhe ekonomike në vendin tonë, por edhe që të tejkalohen interesat personale dhe partiake.
“Vlerësoj se do të ketë përgjegjësi të mjaftueshme midis liderëve të partive politike që do të marrin pjesë në atë takim. Ne do të flasim dhe dëshiroj ta sjellim zgjidhjen më të mirë të mundshme për të ardhmen e këtij vendi dhe për të ardhmen e qytetarëve. Mendoj se një vendim i tillë duhet të merret sepse para së gjithash janë të nevojshme institucione funksionale që do të jenë në gjendje të përballojnë çdo lloj sfidash të ardhshme që qëndrojnë para nesh dhe kjo të jetë një udhëzues për të gjithë ne”, deklaroi Spasovski gjatë vizitës së djeshme.
Liderët e partive më të mëdha politike paraprakisht dolën me qëndrimin e tyre sa i përket asaj se kur do të duhej të mbaheshin zgjedhjet. Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev vlerëson se nuk do të ketë periudhë më të përshtatshme për zgjedhje se në qershor të këtij viti. Megjithatë, kusht është kriza me virusin korona të jetë tejkaluar tërësisht.
Zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejtë edhe për shkak të faktit që nuk kemi Parlament, dhe kemi qeveri teknike e jo politike, vlerëson Zaevi. Ai theksoi se nevojiten afate adekuate për përgatitjen e zgjedhjeve, dhe se në dekretin është paraparë 21 ditë pasi të përfundon gjendja e jashtëzakonshme, por potencoi, pikërisht për këtë organizohet takimi i liderëve.
Jo më pak e rëndësishme është edhe ekonomia, e cila sipas Zaevit edhe ashtu është në krizë, ndërsa në kohën e zgjedhjeve, gjendet në një lloj restrikcioni.
OBRM-PDUKM-ja, mbetet në qëndrimin se për momentin zgjedhjet nuk janë në tre prioritetet e partisë. Më i rëndësishëm është shëndeti i qytetarëve. Megjithatë, lideri i partisë, Hristian Mickovski theksoi se do t’i presin qëndrimet nga takimi i liderëve të martën te presidenti Stevo Pendarovski dhe do të dalin me komentin e tyre.
“Të shohim se cilat do të jenë vlerësimet e Këshillit të Sigurisë, cili do të jetë qëndrimi i presidentit Pendarovski e pastaj mund të dalim me koment në vetë takimin e liderëve i cili do të mbahet të martën”, tha Mickovski. Ftesë për pjesëmarrje në takimin e liderëve më 12 maj ka marrë edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili vlerëson se pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, KSHZ-ja menjëherë duhet të fillojë me përgatitjen e zgjedhjeve.(AIM)
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës
Ngritet aktakuzë ndaj një ish-pjesëtari të forcave serbe për...
Xheneta- Gjestit: A të kujtohet puthja jonë e parë?
Salah i lumtur që futet në historinë e Liverpoolit
Sot nënshkruhen marrëveshjet për certifikim të produkteve