Google ADS

Maqedoni: Qeveria sot vendos për heqjen e orës policore dhe kufizimet për dasmat

10:31 | 15 Qershor 2021
A. B.

Heqja e plotë e orës policore nga nesër dhe i kufizimit të maksimum 100 të ftuarve në dasma dhe festime, si dhe leja për të organizuar ngjarje, koncerte dhe ahengje në klube dhe bare vetëm në ambient të hapur, me kapacitet deri në maksimum 50 për qind të objektit dhe jo më shumë se 1000 njerëz, janë rekomandimet e reja të miratuara dje nga Komisioni për sëmundjet infektive dhe të pranuara nga Shtabi kryesor koordinues i krizave të Covid-19 dhe pritet sot të miratohen në seancë nga Qeveria.

Ministria e Shëndetësisë kumtoi se situata epidemiologjike është e qëndrueshme dhe lejon vendim të tillë.

Sipas të dhënave të lëshuara dje nga Instituti i shëndetit publik, janë regjistruar katër raste të reja me Covid-19, një i vdekur dhe 14 pacientë të shëruar.

Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Covid në vend që nga fillimi i epidemisë është 155.540, numri i pacientëve të shëruar është 149.642, numri i të vdekurve 5.472, ndërsa numri i rasteve aktive është 426, nga të cilët 183 janë në Shkup.

Në repartet infektive në vend mjekohen gjithsej 99 pacientë pozitivë dhe të dyshuar me koronavirus, 34 prej të cilave janë në Shkup. Për shkak të numrit të zvogëluar të pacientëve, spitalet kanë mbyllur një pjesë të kapaciteteve të dedikuara për pacientët me kovid.

Vaksinimi kundër Covid-19 zhvillohet pa probleme në të gjitha pikat në mbarë vendin. Sipas të dhënave në webfaqen kovid19vakcinacija.mk, deri më tani në vend janë vaksinuar 256.149 qytetarë. Numri i njerëzve që kanë shprehur dëshirën për vaksinim përmes ueb-platformës vakcinacija.mk është 449.456 qytetarë.

Nga Ministria e Shëndetësisë njoftuan se rreth 12.870 doza të reja të vaksinës “Pfizer” kanë arrit në vend nga dërgesa e rregullt që e marrim çdo të hëne, nga të cilat 8190 doza prej tyre janë nga marrëveshja bilaterale me prodhuesin “Fajzer”, ndërsa 4680 janë në kuadër të programit “Team Europe”. Në vend sot duhet të arrijnë edhe 20 000 vaksina nga “Astra Zeneka” nga Greqia.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme