Maqedonia e Veriut synon që të ulë ndotjen e ajrit përmes rritjes së gjobave, por edhe padive penale për të gjithë personat juridikë dhe fizikë, të cilët kapen duke ndotur apo nxitur ndotjen e ambientit jetësor.
Kjo parashihet me ndryshimet në Ligjin për kundërvajtje, pasi siç thuhet në tekstin që është duke u hartuar, masat që janë aktualisht në fuqi nuk po japin efektet e duhura në parandalimin e ndotjes së ajrit.
“Unë absolutisht mbështes rritjen e gjobave, sepse siç e kemi parë deri tani, masat nuk kanë dhënë rezultate, madje edhe kur gjobat u ulën me besimin se efekte ndoshta mund të arrihen më shumë përmes fushatave të ndryshme të ndërgjegjësimit. Pra, propozojmë që gjobat të rriten që të kemi rezultate, në veçanti në Shkup, ku gjendja është më e rëndë. Dëmin nuk mund ta kthejmë me parat që do të mblidhen, por shpresojmë se do të parandalojmë aktet e tilla, në veçanti përmes sanksioneve penale”, tha Miroslav Bogdanovski, deputet nga Partia e Gjelbër, që është pjesë e koalicionit qeverisës.
Ende nuk dihet se sa mund të sillen gjobat për ndotësit e ambientit jetësor, ndërkohë që deri më tani, bazuar në të dhënat e shoqatave ambientaliste, vetëm një subjekt juridik, konkretisht një dyqan ushqimor është dënuar me vendim gjyqësor për ndotje të ambientit për shkak të rrjedhës së lëndës së parë nga sistemi i ngrohjes.
Inspektoratet gjithashtu kanë bërë kontrolle, por gjoba dhe ndalim të punës ka pasur vetëm për një kombinat metalurgjik në rajonin e Tetovës, për shkak të mosvendosjes së filtrave për mbrojtjen e ambientit.
Drejtuesi i shoqatës “Eko Guerila”, Arianit Xhaferi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se më me rëndësi se rritja e gjobës është zbatimi i Ligjit për kundërvajtje.
Ai thotë se është e kot të rriten gjobat nëse ato nuk zbatohen nga inspektoratet përkatëse.
“Rritja e gjobave është e rëndësishme për sanksionimin e ndotësve ekologjikë, por më shumë i rëndësishëm është zbatimi i gjobës, do të thotë që ajo të paguhet nga ana e subjekteve sepse nëse gjoba ekziston si masë dhe nëse ajo nuk zbatohet, atëherë çdo gjë do të jetë e kot pavarësisht çfarë çmimi ka”, thotë Xhaferi.
Ndryshime do të ketë edhe në Ligjin për mbrojtjen e ambientit përmes të cilit Ministria e Ekologjisë synon gjithashtu mbrojtjen e mjedisit, me çka do të rregullohet trajtimi i gomave që janë një nga ndotësit e mëdhenj, pastaj i makinave të vjetra, ujërave ndotëse, tekstilit, paketimit të prodhimeve para se të nxirren në treg, e çështje tjera.
Me uljen e temperaturave dhe nisjen e sezonit të ngrohjes, në Maqedoninë e Veriut është paraqitur ndotja e ajrit. Por, kryetari i Shkupit, Petre Shilegov më herët ka deklaruar se gjendja nuk është aq alarmante meqë sipas tij ndotja nuk është në nivelet e viteve të kaluara dhe se masat që janë ndërmarrë nga autoritetet e kryeqendrës kanë nisur të japin rezultate.
Megjithatë, Gorjan Jovanovski, krijues i aplikacionit “Ajri im”, thotë se ndotja ekziston mbi normat e lejuara dhe se kjo nuk duhet të fshihet nga autoritetet.
“Për fat të keq, stacionet matëse po tregojnë rritje të ndotjes së ajrit mbi normat e lejuar. Ndotjen e ajrit e kemi në veçanti në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes. Është fakti se kjo është pasojë para se gjithash e nisjes së sezonit të ngrohjes”, thotë Gorjan Jovanovski, krijuesi i aplikacionit “Ajri im”.
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Slot lavdëron një futbollist për paraqitje të mrekullueshme ...
35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku sot bën homazhe...
Mblidhet KQZ për certifikimin e 17 subjekteve tjera politike
Sot diskutohet për transparencën parlamentare