“Në institucionin ligjvënës, të zgjedhurit e popullit tashmë për një kohë të gjatë nuk zhvillojnë asnjë aktivitet, edhe atë, që nga 16 shkurti, kur Kuvendi votoi shpërndarjen e tij. Megjithatë, ato vazhdojnë të marrin rroga të plota, për derisa situata nuk qartësohet.”
Kuvendi u shpërnda më 16 shkurt, 55 ditë përpara zgjedhjeve të parapara për më 12 prill. Gjendja e jashtëzakonshme si pasojë e pandemisë pezulloi aktivitetet zgjedhore. Sikur zgjedhjet të ishin realizuar në 12 prill, e shumta 20 ditë pas tyre duhet të kishte filluar dhe ndoshta do të ishte mbyllur edhe seanca konstituive e përbërjes së re parlamentare. Kjo, sipas Kushtetutës dhe ligjeve, do t’i kishte dhënë fund mandatit të kësaj përbërje parlamentare dhe do të ndërpritej pagesa e tyre.
Kushtetuta:
“Deputetët në Kuvend zgjidhen për periudhë 4-vjeçare. Mandati i deputetëve mund të vazhdojë vetëm në rast të gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së luftës.”
Ligji për zgjedhjen e deputetëve, Neni 9, paragrafi 3:
“Mandati i deputetit zgjat nga dita e verifikimit të tij, deri në ditën e verifikimit të mandatit të deputetëve të rinj.”
Zgjedhjet nuk u realizuan, mandati i deputetëve nuk ka mbaruar mirëpo ata nuk janë në krye të detyrës dhe njëkohësisht, në sajë të këtyre dispozitave, vazhdojnë të marrin rroga. Alsat kërkoi raport nga Kuvendi për pagesën e fundit të deputetëve dhe të gjitha shpenzimet e tjera eventuale që ua mbulon Kuvendi. Deri në këto momenti nuk kemi përgjigje. Nga institucioni ligjvënës thonë se informacioni i karakterit publik, mund të marrë deri në 14 ditë kohë për t’u siguruar. Bazuar në informacionet e publikuara më herët, rroga e një deputeti varion nga 1 mijë deri në 1 mijë e 400 euro, por ajo varet edhe nga angazhimi i tyre nëpër trupat punuese të Kuvendit. Deputetët që janë nga jashtë Shkupit paguhen edhe për shpenzimet e rrugës kur shkojnë në punë, për qiranë e banesave nëse zgjedhin të jetojnë në Shkup dhe për faturat e rrymës.
Partitë politike janë të ndara për punën e Kuvendit. Një pjesë mendon se Kuvendi duhet të rikthehet në punë dhe pjesa tjetër mendon se deputetëve u ka skaduar mandati. Megjithatë, asnjëra prej tyre nuk konteston të drejtën ligjore ose edhe morale të pagesës së deputetë, në kohën kur ata nuk shkojnë në punë. Në qëndrimet e disa ditëve më herët LSDM-ja vlerëson se deputetët duhet të kthehen në punë kurse VMRO-DPMNE-ja tashmë i quan ato ish deputetë. Të pyetur tani nëse e quajnë të arsyeshme marrjen e pagës së deputetit edhe në këtë periudhë, nga të dy partitë nuk morëm përgjigje.
“Sigurisht, qëndrimi jonë është se në kushte të këtilla krize, vlerësojmë se është mirë, është e përgjegjshme dhe është demokratike që Kuvendi të mblidhet…”-pohoi Kostadin Kostadinov, zëdhënës i LSDM-së.”
“Qëndrimi jonë mbetet i pandryshuar se Kuvendi nuk mund të mblidhet dhe nuk mund të veprohet në kundërshtim me Kushtetutën sepse gjithsesi bëhet fjalë për ish deputetë.”-theksoi Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së”
BDI-ja beson se kësaj ngatërrese, epilog duhet t’i japë Gjykata Kushtetuese. Për ASH-në, marrja e rrogës nuk është e kontestueshme, por një përqindje e saj duhet të donohet.
“Ne vlerësojmë se tani Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë. Çfarë vendimi të marrë Gjytaka Kushtetuese, ai duhet të respektohet më tutje.”-tha Bujar Osmani, BDI.”
“Në bazë të këtij neni (Ligji për zgjedhjen e deputetëve, neni 9, paragrafi 3), deputëve të shpërbërë ju takon rroga, por në këto rrethana do ishte humane dhe e natyrshme që një përqindje të caktuar deputete ta donojnë ne fondin e përbashkët solidar Covid 19.”-thonë nga Aleanca për Shqiptarët.”
Ish deputeti dhe juristi Naser Ziberi thotë se Kodi Zgjedhor e rregullon çështjen e të drejtës së deputetëve për të marrë rrogë deri në përfundimin zyrtar të mandatit, gjegjësisht deri në verifikimin e mandatit të përbërjes tjetër parlamentare. Megjithatë, Ziberi thotë se nëse kjo gjendje vazhdon, kjo çështje merr kontekst moral.
“Kuptohet nëse gjendja e jashtëzakonshme zgjat ndoshta edhe për një periudhë të caktuar dhe kryetari i shtetit detyrohet që edhe një muaj ta zgjasë periudhën e gjendjes së jashtëzakonshme, atëherë çështja më është edhe morale sepse përbërja aktuale e legjislaturës do të jetë në “stand by” në një periudhë shumë të gjatë, pra, nuk do ta ushtrojnë aktivitetin ligjvënës, ndërsa realizojnë të ardhura nga marrëdhënia e punës që kanë me parlamentin.”-pohoi Naser Ziberi, ish deputet.”
Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi ditë më parë deklaroi se më 16 shkurt, e drejta e deputetëve për të sjellë vendime ka përfunduar, atëherë kur ata kanë votuar për të kthyer mandatin dhe për të përfunduar të drejtën e përfaqësimit të qytetarëve.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...