Google ADS

Maqedoni: Kriza politike, në binarët e zgjidhjes

15:15 | 20 Maj 2017
Arbresh.info

Kriza politike në Maqedoni ka nisur të shthuret me dhënien e mandatit liderit social-demokrat, Zoran Zaev, nga presidenti Gjorgje Ivanov.

Mirëpo, deri në zgjidhjen e saj ka ende punë, thonë njohësit e çështjeve politike duke komentuar zhvillimet e fundit, si zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, caktimin e mandatarit të ri, si dhe nisjen ndalimin dhe hetimin e personave të përfshirë në dhunën e 27 prillit në Kuvend.

LSDM-ja, si bartëse e procesit, ka nisur bisedimet me partitë shqiptare për formimin e Qeverisë së re, përkatësisht për përbërjen dhe ndarjen e dikastereve ministrore.

Analisti politik, Albert Musliu, thotë se Qeveria e re duhet të formohet sa më parë dhe se në bisedime më shumë rëndësi duhet t’i jepet vendimmarrjes konsensuale apo bashkëqeverisjes sesa ndarjes sw posteve, pasi e kaluara ka dëshmuar se partitë më shumë kanë qenë të interesuara për favore apo poste që edhe kanë prodhuar kriza të ndryshme.

“Duke marrë për bazë eksperiencën e kaluar, për mua është shumë me rëndësi që partnerët e koalicionit të vendosin modelin e bashkëqeverisjes, domethënë të kemi një model të bashkëqeverisjes dhe jo model të ndarjes së pashallëqeve, por të kemi një qeverisje të vërtetë, pasi Maqedonia është në gjendje të rëndë edhe politike, por edhe ekonomike, andaj edhe ka nevojë për një harmoni në qeverisjen me vendin dhe të gjithë të jenë pjesë e realizimit të reformave që e presin vendin”, vlerëson Musliu.

Jove Kekenovski, njohës i çështjeve politike dhe ish-zyrtar i partisë VMRO DPMNE-sësë Nikolla Gruevskit, thotë se nisja e zgjidhjes së krizës është në radhë të parë rezultat i faktorit ndërkombëtar, para së gjithash atij amerikan. Ai beson se këto situata nuk do të përsëriten në të ardhmen.

“Mendoj se gjithë këto ngjarje dhe presioni i fuqishëm nga bashkësia ndërkombëtare kanë bërë që më në fund të kemi një rrugëdalje nga kriza e thellë. Presidenti më në fund u detyrua t’i japë mandatin Zoran Zaevit për formimin e Qeverisë, i cili tashmëka nisur bisedimet me partnerët e koalicionit për ndarjen e posteve qeveritare”.

“Duke marrë parasysh çfarë kemi kaluar në të kaluarën vlerësoj se Qeveria e re duhet formuar sa më parë që të jetë e mundur. Ajo nuk do të jetë e qëndrueshme sa duhet, duke marrë parasysh numrat, por besojmë se pa probleme do të kalojë 100 ditshin që më pas të mund të bëhet një rekapitullim i punës së saj. Pavarësisht kësaj, mendoj se Maqedonia po kalon në një fazë të zhvillimit të saj, të demokracisë dhe më duhet të them se pritjet e njerëzve janë të madha”, thotë Kekenovski.

Ai mendon se Qeveria e re fillimisht duhet të merret me disa nga çështjet themelore, që nënkuptojnë edhe kthimin e vlerave elementare të demokracisë në një shtet që pretendon perëndimin.

“Kthimi i shtetit të kapur në duart e qytetarëve, vendosja e shtetit ligjor, rimëkëmbja e ekonomisë dhe ulja e varfërisë. Këto vlerësoj se duhet të jenë ato prioritetet kryesore në punën e saj. Qytetarët janë të lodhur nga varfëria dhe korrupsioni, ata duan të ardhme më të mirë dhe perspektivë për fëmijët e tyre”, vlerëson Kekenovski.

Bisedimet për Qeverinë e re aktualisht janë duke u zhvilluar ndërmjet LSDM-së dhe BDI-së dhe sipas njoftimeve të fundit, ato pritet të përfundojnë javën që vjen.

Nuk dihet nëse pjesë e qeverisë do të jetë edhe Lëvizja Besa që ka pesë mandate, ndërsa për Aleancën për Shqiptarët thuhet se ajo me gjasë do t’i bashkohet koalicionit, i cili në këtë rast do të kishte 62 vota në Kuvend, apo vetëm një më shumë se numri i nevojshëm për të votuar Qeverinë.

“Edhe nëse ndodh që të gjitha të mos marrin pjesë, do të paraqesë një defekt, por nuk do ta pamundësojë qeverinë e ardhshme që të funksionojë normalisht. Uroj që edhe nëse të gjitha partitë nuk hyjnë në Qeveri, së paku duhet të jenë korrekt para elektoratit dhe të japin sqarime të qëndrueshme dhe jo sqarime të përgjithësuara apo për pikë politike”,shprehet analisti Albert Musliu.

Sipas paralajmërimeve nga LSDM-ja, Qeveria e re pritet të votohet deri në fund të muajit, ndërsa bashkë me të do të miratohet edhe vendimi për shtyrjen e mandatit të kryetarëve të komunave dhe shpalljen e zgjedhjeve lokale nga mesi i muajit tetor./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme