Google ADS

Maqedoni, frika nga largimi hesht shkeljet ndaj punëtorëve

18:11 | 16 Janar 2020
Arbresh.info

Punëtorët në Maqedoninë e Veriut gjithnjë e më pak i denoncojnë shkeljet e të drejtave të tyre nga ana e punëdhënësve, si rrjedhojë e mungesës së besimit në sistemin gjyqësor. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2019 në Lidhjen e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut janë drejtuar 804 punëtorë për të kërkuar ndihmë juridike pasi u janë shkelur të drejtat në raport me marrëdhënien e punës.

Kjo shifër është për 200 më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018, kur kishte 1007 denoncime, përkatësisht kërkesa për mbrojtje juridike ndaj shkeljes së të drejtave të punëtorëve.

Numri më i madh i ankesave, gjithsej 514 në vitin 2019, është ai i punëtorëve në industri, energjetikë dhe miniera, që kryesisht kanë të bëjnë me mospagesën e rrogave, mjeteve shtesë jashtë orarit të punës, si dhe mospagesës së kontributeve. Rreth 100 kërkesa të tjera kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të punëtorëve nga firmat e falimentuara dhe 70 kërkesa të tjera kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave sindikale.

Katerina Popovska, juriste në kuadër të Lidhjes së Sindikatave në Maqedoninë e Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekzistojnë shumë arsye pse punëtorët hezitojnë të ngrenë proces gjyqësor sa i përket shkeljes së të drejtave të tyre.

“Si arsye e parë do të thosha është ajo se një pjesë e madhe e anëtarëve, përkatësisht punëtorëve, nuk janë mjaftueshëm të njoftuar për të drejtat e tyre që kanë mundësi t’i realizojnë përmes sindikatave, por më e rëndësishmja do të thosha pjesa më e madhe tyre hezitojnë të denoncojnë rastet edhe kur janë të sigurt se janë shkelur të drejtat e tyre, sepse kanë frikëse punëdhënësi do t’i largojë nga puna. Një aspekt tjetër është mosbesimi në sistemin gjyqësor, jo rrallëherë Inspektorati i punës është vendosur në mbrojtje të interesave të punëdhënësit”, thotë Popovska.

Nga ana tjetër, sociologu Ali Pajaziti, ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e Lirë thotë se mostransparenca e sistemit gjyqësor, ua ka futur frikën në palcë qytetarëve për të denoncuar çfarëdolloj padrejtësie që u bëhet, prandaj, shton ai, punëtorët marrin kurajë për të ngritur zërin vetëm gjatë periudhave para organizimit të zgjedhjeve.

“Nuk është një vijë, vazhdimësi, të themi, e natyrshme që të reagohet çdo herë kur e lypë nevoja ose kur bëhet ndonjë padrejtësi, ose kur ka shkelje, ose kur bëhet fjalë për ndonjë kërkesë emergjente dhe të arsyeshme të punëtorëve ose kategorive të tjera të qytetarëve”, thotë sociologu Pajaziti.

Ndërkaq, Ana Gligorova, aktiviste për të drejtat e punëtorëve në kuadër të organizatës joqeveritare “Njeriu mbi profitin”, për Radion Evropa e lirë thotë se shteti nuk funksionon mbi bazë të parimeve sociale, edhe pse në bazë të Kushtetutës është e definuar si e tillë. Megjithatë, ajo shprehet optimiste se gjërat do të ndryshojnë për së mbari me vetë faktin se bizneset tanimë kanë filluar të ndjejnë mungesën e krahut të punës dhe nuk dëshirojnë t’i humbasin punëtorët.

“Mendoj se ngrihet vetëdija te punëtorët. Mendoj se përmes një aksioni permanent, përmes një fronti të përbashkët dhe nga ana tjetër, punës së mediave, pas një kohe patjetër se do të inkurajohen qytetarët të dalin në rrugë për t’i mbrojtur të drejtat e tyre kur shkelen nga ana e punëdhënësit. Mendoj se kështu do të zgjohet vetëdija e punëtorëve dhe ngadalë Maqedonia e Veriut, do të shndërrohet në një shtet të sigurt social”, konsideron Gligorova. Sindikalistët, njëherësh theksojnë se të drejtat e punëtorëve në sektorin publik deri diku respektohen, por realiteti është shumë më i hidhur kur bëhet fjalë për punëtorët në sektorin privat, të cilët mbeten në të shumtën e rasteve të pambrojtur, veçanërisht kur detyrohen të bëjnë më shumë punë për të njëjtën pagë./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme