Google ADS

Maqedoni e Veriut, Siljanovska dhe Pendarovski shkojnë në balotazh

18:01 | 25 Prill 2024
KRG

Gordana Siljanovska Davkova dhe Stevo Pendarovski do të shkojnë në balotazhin e 8 majit të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Bujar Osmani u rendit i treti me rreth 121 mijë vota, ndërsa Arben Taravari mori 83 mijë vota. Ndërkohë, misoni vëzhgues i ODIHR-it vlerëson se liritë themelore u respektuan në fushatë, por me afrimin e ditës së zgjedhjeve “retorika u bë mjaft negative dhe në disa raste, diskriminuese”. ODIHR po ashtu vëren mosgatishmërinë e autoriteteve për të pranuar një sërë rekomandimesh të misionit për reformat zgjedhore.Gordana Siljanovska Davkova nuk kishte besuar se do të arrinte këtë rezultat në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Ajo mori dyfishin e votave, përkatësisht 360 mijë ndaj 180 mijë votave sa fitoi Stevo Pendarovski i LSDM-së, i cili po garon për një mandat të dytë.

Ndonëse Siljanovska Davkova dhe Pendarovski do të përballen në balotazh më 8 maj, VMRO-DPMNE-ja festoi me daulle e fishekzjarre para selisë në Shkup.

Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim festoi mbrëmë rezultatin e kandidatit të tij, Bujar Osmani. Disa qindra përkrahës me zëvendës-kryeminisrtin Artan Grubi dhe eksponentë të lartë të BDI-së në kryeqytet u mblodhën në sheshin Skenderbej, para selisë së koalicionit opozitar shqiptar VLEN dhe policisë iu desh të mobilizohej dhe të sigurojë shtabin zgjedhor të opozitës shqiptare. Ky veprim i partisë në pushtet u cilësua si provokim nga opozita.

Procesin e votimit dje e ndoqën me interes vëzhguesit e misionit të ODIHR-it; të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe të Parlamentit Evropian. Shefja e misionit të ODIHR-it, Jillian Stirk e cilësoi si konkurrues raundin e parë të zgjedhjeve të djeshme. Ndërsa tha se ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor u bënë në mungesë transparence dhe të debatit publik.

“Liritë themelore u respektuan në fushatë, por me afrimin e ditës së zgjedhjeve retorika u bë mjaft negative dhe në disa raste – diskriminuese”, vërejti zonja Stirk. ODIHR vëren po ashtu numrin e ulët të grave si në jetën politike edhe në procesin e votimit.

Por, siç tha shefja e misionit autoritetet e zgjedhjeve në përgjithësi patën besueshmërinë e publikut dhe menaxhuan procesin në mënyrë efikase.

Zonja Stirk vlerëson se autoritetet në Shkup nuk pranuan një sërë rekomandimesh të ODIHR-it që të zinin vend në reformat zgjedhore. Vërejtje pati edhe për financimin e fushatës dhe për mënyrën e financimit sidomos të medias në internet, për çka u hodhën dyshime se mjetet financiare të kësaj medie të ishin kthyer në llogaritë e partive politike. Vëzhguesit e huaj do të ndjekin me mbi 200 pjesëtarë edhe balotazhin dhe zgjedhjet parlamentare të 8 majit.

Sidoqoftë, votimi i së mërkurës shikohet si një matës i elektoratit për zgjedhjet parlamentare të 8 majit.

Garuesja opozitare Siljanovska tha se ishte krenare me qytetarët dhe në veçanti me anëtarët e VMRO-DPMNE-së: “Pa të cilët, siç tha, nuk do ta njihja popullin dhe as ai mua”.

Edhe zoti Pendarovski nuk e kishte pritur një rezultat kaë të thellë. Por për të nga sot gjithçka fillon nga zeroja:

“Nga dita e nesërme fillojmë takimet me qytetarë. Janë me mijëra dhe qindra mijë qytetarë të cilët i besojnë konceptit tonë kundër izolimit dhe për integrimin evropian të vendit”, u shpreh ai, duke theksuar bindjen për një mbështetje të madhe në balotazh.

Pak orë më pas u pa se epërsia e zotit Osmani ndaj zotit Taravari është rreth 700 vota në Tetovë.

Drejtuesi opozitar maqedonas Hristijan Mickovki e ka telefonuar mbrëmë zotin Taravari për t’i uruar rezultatin në zgjedhje. Ndërkaq, ky i fundit ende nuk mund të thotë se kë do ta mbështesë në balotazhin e presidencialeve më 8 maj:

“Nuk kemi vendosur se kë do të mbështesim në raundin e dytë. Si koalicion do të ulemi dhe do të bisedojmë për këtë”, tha zoti Taravari.

Vlerësohet se mbështetja për VMRO-në në pak vitet e fundit është rezultat i zvarritjes së procest të integrimit të vendit në drejt Bashkimitevropian. VMRO-ja ka gjasa të mëdha t’i fitojë edhe zgjedhjet parlamentare pas dy javësh, ndërsa kanë filluar debatet në publik se si do të formohet qeveria e re.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme