Maqedoni e Veriut, numri i personave me koronavirus rritet në shtatë

23:55 | 9 Mars 2020
Arbresh.info

“Nga tetë pacientët e testuar për koronavirus këtë pasdite, tre anëtarë të familjes së bashkëshortëve nga Dibra kanë rezultuar pozitiv në koronavirus dhe pesë të tjerët janë negativ”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se janë konfirmuar edhe tre raste të reja të koronavirusit (COVID-19), duke e çuar numrin e personave të konfirmuar në shtatë.

“Nga tetë pacientët e testuar për koronavirus këtë pasdite, tre anëtarë të familjes së bashkëshortëve nga Dibra kanë rezultuar pozitiv në koronavirus dhe pesë të tjerët janë negativ. Pacientët pozitivë, që nga e premtja, 6 mars, kanë qenë në izolim shtëpiak me një vendim të marrë nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, ndërsa nga sonte do të shtrohen në spital dhe do të mjekohen në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Tre personat tek të cilët është konfirmuar koronavirusi janë familjarë të bashkëshortëve nga Dibra të cilët në Maqedoninë e Veriut arritën nga rajoni i Italisë veriore më 27 shkurt, për të cilët ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe më 6 mars njoftoi se ishin të infektuar me koronavirus.

Rikujtojmë se ministri Filipçe në konferencën e sotme për media informoi se një tjetër rast i një pacientes nga koronavirusi u diagnostikua mbrëmë vonë në Klinikën e Sëmundjeve Infektive. Ministri theksoi se pacientja është mjeke dhe drejtoreshë e Klinikës së Sëmundjeve të Lëkurës e cila para një jave ka udhëtuar nga Italia dhe nuk ka përmbushur rekomandimin për izolim dyjavor.

I zbuluar për herë të parë në Wuhan të Kinës në dhjetor, virusi, i njohur zyrtarisht si COVID-19, është përhapur në më shumë se 80 vende.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), numri i përgjithshëm i vdekjeve është rreth 3.800 me mbi 110.000 raste të konfirmuara.

OBSH, e cila shpalli epideminë si një emergjencë ndërkombëtare shëndetësore, së fundmi përditësoi nivelin e rrezikut global në “shumë të lartë”./aa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme