Maqedoni e Veriut, intelektualë shqiptarë: Të mos abrogohet gjuha shqipe

23:34 | 7 Dhjetor 2024
R J

Në Maqedoninë e Veriut mbi 250 intelektualë shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe tre rektorët e universiteteve shqiptare, kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të mos e abrogojë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Edhe kryesia e ngushtë e BDI-së ka thirrur për të hënën organin më të lartë të partisë, për të shqyrtuar zhvillimet e fundit, pasi më 11 dhjetor pritet që Kushtetuesja ta hedhë poshtë ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Mbi 250 intelkutualë shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe tre rektorët e Universiteteve shqiptare në Maqedoninë e Veriut, kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të mos e abrogojë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.

Në letër thuhet se “duke pasur parasysh pozitën dhe rolin kushtetues që keni Ju si përfaqësues të institucionit më të lartë juridik, i cili sipas Kushtetutës është i pavarur dhe pa ndikime politike, vazhdojmë të shpresojmë se nuk do të lejoni realizimin e skenarëve të tillë, të cilët cenojnë ndjenjat e çdo qytetari shqiptar”.

Ndërkohë, BDI u ka dërguar letër edhe njëherë SHBA-së, BE-së dhe NATO-s, të cilëve u bën thirrje për siç thonë ata, veprim urgjent për të parandaluar destabilizimin potencial të Maqedonisë së Veriut. Kryesia e ngushtë e BDI-së ka thirrur për të hënën organin më të lartë të partisë të hënën, për të shqyrtuar zhvillimet e fundit.

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, ka paralajmëruar gjykatësit kushtetues se vendimi i tyre mund të ketë pasoja për shtetin.

“Ne i bëjmë ftesë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që të mos dalin jashtë kompetencave të tyre dhe të mos futen tema politike të cilat dëmtojnë marrëdhëniet ndëretnike në këtë vend. Çdo e drejtë e shqiptarëve është fituar me mund, në momente të caktuara edhe me gjak dhe nuk I ndihmon askujt çdo vendim që do t`i degradoj të drejtat e shqiptarëve”, tha Kasami.

Gjykata Kushtetuese e ka caktuar për 11 dhjetor seancën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Të ngjashme