Në 35 komuna të Maqedonisë po zhvillohet rreth i dytë i zgjedhjeve lokale ku të drejtën e votës e kanë 833.716 qytetarë të regjistruar në listën e përgjithshëm zgjedhore.
Deri në orën 13, të drejtën e votës në rrethin e dytë në Maqedoni e kanë shfrytëzuar 24.3 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, ka njoftuar Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
Autoritetet e rendit thonë se procesi zgjedhor në përgjithësi po zhvillohet në mënyrë të qetë, pa probleme serioze, që mund ta prishin rendin publik.
Megjithëkëtë, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka konfirmuar se në komunën e Shuto Orizares në Shkup, policia ka arrestuar një person për shkak të përfshirjes në një rrahje me disa persona të tjerë.
“Gjatë procesit zgjedhor është regjistruar prishje e rendit publik në Shuto Orizare. MPB-ja ka dalë menjëherë në teren ku është ndaluar një person për shkak të përfshirjes në një rrahje jashtë qendrës votuese. Ende nuk dihen arsyet e incidentit”, ka deklaruar zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski.
Sipas tij, MPB-ja ka regjistruar edhe tri raste të fotografimit të fletës së votimit në vendvotimet në Shuto Orizare, Cërnice dhe Probishtip.
Organizata joqeveritare “CIVIL”, në një paraqitje për mediet ka denoncuar parregullsi në një zonë të Shkupit ku, siç thuhet, janë regjistruar raste të votimit familjar, një persona për më shumë veta, pastaj raste të fotografimit si dhe disa shkelje më të vogla.
Më herët gjatë paradites, asociacioni qytetar “MOST” që ka numrin më të madh të vëzhguesve, kishte njoftuar për proces të rregullt zgjedhor dhe hapjen me kohë të qendrave të votimit.
Votimet kanë nisur në orën 7 të së dielës dhe po zhvillohen në 1,517 vendvotime.
Për dallim nga rreth i parë i zgjedhjeve më 15 tetor, kur u votua edhe për këshillat komunalë dhe Qytetin e Shkupit, tani votohet vetëm për kryetarë të komunave, që kaluan në balotazh ndërmjet dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në rrethin e parë të zgjedhjeve.
Në garë janë 68 kandidatë të 8 subjekteve politike dhe 2 kandidatë të pavarur.
Gara kryesore zhvillohet kryesisht në komunat shqiptare, pasi nga 14 prej tyre me shumicë shqiptare, në rrethin e parë janë zgjedhur kryetarët e vetëm dy komunave. Beteja po zhvillohet për komunat e Çairit në Shkup, Tetovë, Gostivar, Strugë, Dibër, si dhe komunat tjera që janë në zonat rurale. Gara zhvillohet mes kandidatëve të BDI-së, e cila ka mbështetjen e LSDM-së dhe atyre të koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.
Te blloku politik maqedonas gara ka përfunduar në qytetet më të mëdha përfshirë edhe Shkupin, ndërsa kanë mbetur disa qytete më të vogla dhe të tjerat janë kryesisht në zonat rurale. Edhe në këtë balotazh, gara zhvillohet mes kandidatëve të LSDM-së së kryeministrit, Zoran Zaev dhe VMRO DPMNE-së ish kryeministrit, Nikolla Gruevski.
Për rrethin e dytë të zgjedhjeve janë akredituar 5,101 vëzhgues vendorë dhe 473 të huaj. Zgjedhjet do të mbikëqyren edhe nga delegacioni i BE-së, Ambasada Amerikane, e cila ka akredituar 35 vëzhgues, ndërsa ka edhe vëzhgues nga vende tjera, si nga Britania e Madhe, Franca, Rusia, Shqipëria, Kosova e vende tjera.
Rezultatet e para nga balotazhi pritet të nisin të publikohen në mënyrë elektronike në faqen e internetit të KSHZ-së varësisht se si arrijnë nga qendrat e votimit, por ashtu sikur edhe në rrethin e parë rezultatet do të publikohen më herët nga partitë politike që kanë anëtar dhe vëzhgues nëpër të gjitha vendvotimet.
Maqedonia ka gjithsej 80 komuna dhe Shkupin si njësi e veçantë e vetë-administrimit lokal me 10 komuna urbane në përbërje të tij.
Deti Mesdhe po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës, si...
Trump emëron Keith Kellogg si të dërguar special për Ukrainë...
Konjufca: Shteti ynë është përplotësim i porosisë së 28 Nënt...
Ancelotti: Edhe nëse fitonim ishte e vështirë të ishim në to...
112 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë festohet në New York
Katër arsye pse disa njerëz nuk kërkojnë kurrë falje?