Google ADS

Maqedoni, depozitat të sigurta, nuk pritet tërheqje e parave

12:17 | 20 Tetor 2019
Arbresh.info

Qytetarët nëpër banka mbajnë 4.5 miliardë euro. Depozitat janë të sigurta, thonë nga Fondi për Sigurimin e Depozitave dhe vlerësojnë se qytetarët kanë besim dhe i mbajnë paratë e tyre nëpër banka edhe krahas uljes së normave të interesit. Nëse fillon tatimimi i interesit për depozitat, nga Fondi nuk konsiderojnë se kjo do të ndikonte në tërheqjen e parave nga bankat.

“Qytetarët kanë besim në institucionin tonë, që nga themelimi i tij në vitin 1997 deri sot, sepse gjithmonë janë kompensuar në kohën e duhur dhe në përputhje me rregulloret ligjore në rast të ngjarjeve të rrezikshme, gjatë mbylljeve të bankave ose kursimoreve. Besimi që qytetarët e kanë te Fondi mund të shihet edhe përmes rritjes së vazhdueshme të depozitave të popullsisë. Përkatësisht, qytetarët, përkundër uljes së normave të interesit për kursimet, vendosin t’i mbajnë paratë e tyre në banka ose shtëpi të kursimeve, ku janë të sigurt sepse janë të siguruar përmes FSD. Prandaj, besojmë se tatimi i propozuar i interesit për depozitat nuk do të ndikojë në tërheqjen e depozitave nga bankat, pasi do të nënkuptonte humbjen e sigurisë së tyre dhe të ardhurave në bazë të interesit”, thonë për AIM nga Fondi i Sigurimit të Depozitave.

Ata vlerësojnë se sistemi bankar në vend është i qëndrueshëm dhe depozitat e qytetarëve sigurohen rregullisht pa asnjë problem në Fondin e Sigurimit të Depozitave në përputhje me llogaritjet mujore të bonuesve të sigurimit. Sipas të dhënave të tyre, depozitat e popullsisë në shtator arritën në 273.9 miliardë denarë ose 4.5 miliardë euro, duke shënuar rritje prej 8.8 për qind në krahasim me shtatorin e vitit të kaluar. Më shumë se gjysma ose 51.8 për qind janë në denarë, 48.2 për qind janë depozita në valutë. Sipas pamjes janë 51.1 për qind, ndërsa depozitat me afat janë 58.9 për qind.

Tatimimi i interesit duhet të fillojë në janar të vitit të ardhshëm. Ligji parashikon të tatimohen me 15 për qind nëse shuma tejkalon 15 mijë denarë. Bankierët kërkojnë që kjo të shtyhet dhe të zbatohet kur të hyjmë në BE, pasi vlerësojnë se qytetarët mund të fillojnë të tërheqin para nga bankat, ndërsa paralajmërimet e ministres të Financave Nina Angelovska ishin se po shqyrtohet mundësia dhe se ka vullnet./koha.mk/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme