Maqedoni: BE do ta mbikëqyrë marrëveshjen me Bullgarinë

22:34 | 12 Qershor 2021
Arditë Shkodra

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Bujar Osmani, edhe përkundër kontakteve të vazhdueshme me zyrtarët e lartë të Bullgarisë, thotë se nuk mund të jetë i sigurt nëse do të hiqet vetoja bullgare që vendi t’i nisë negociatat me BE më 22 qershor.

Sipas tij, arritja e marrëveshjes varet nga ajo nëse Qeveria teknike bullgare ka mandat të sjellë vendime të tilla, ku do të vendoset Udhërrëfyesi dhe cila do të jetë përmbajtja e tij. Në tryezë vazhdon të jetë edhe propozimi i Portugalisë, i cili, siç tha Osmani, parasheh monitorim evropian.

“Propozimi i Portugalisë parasheh monitorim nga Bashkimi Evropian në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes për Miqësi nga viti 2017 përmes Udhërrëfyesit i cili ka afate të qarta, si dhe nga institucionet përgjegjëse për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Monitorimi do të bëhet brenda Këshillit për Stabilizim dhe Asocim, duke i ruajtur parimet e Bashkimit Evropian dhe të vendit tonë se kjo nuk duhet të jetë pjesë e procesit negociues dhe kritereve të Kopenhagës”, tha Bujar Osmani.

Dje, Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev realizoi bisedë telefonike me sekretarin amerikan shtetëror Entoni Blinken, ku mes tjerash kanë folur edhe për bllokadën ndaj Maqedonisë. Blinken e ka theksuar nevojën për integrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE. Lidhur me atë nëse trysnia e SHBA-ve si fuqi botërore, por edhe e Francës dhe Gjermanisë si fuqi evropiane, do të mjaftojë që Bullgaria të japë dritë jeshile, Osmani me qëndrim se ka angazhim të madh nga shumë vende.

“Çështja e shtyrjes së perspektivës evropiane të rajonit ka pasoja gjeopolitike, pasoja serioze gjeopolitike. Në gjeopolitikë nuk ka vakum, dikush do ta mbushë secilën zbrazëti. Nëse nuk e mbushni ju, atëherë do ta mbushë dikush tjetër. Prandaj, mendoj se ky alarm është ndezur seriozisht në mesin e aleatëve, miqve tanë që tentojnë të bisedojnë edhe me ne, edhe me Bullgarinë”, shtoi Osmani.

Dje u mbajt takimi i Komisionit të përbashkët për çështje historike dhe arsimore, por pa asnjë përparim. Osmani thotë se nuk duhet të lihen anash rezultatet e deritanishme dhe se nuk mund të pritet që kjo çështje të mbyllet për një vit./TV21

Të ngjashme