Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç e konsideroi “të papranueshme çdo përpjekje nga aktorë të huaj (qofshin nga rajoni apo pjesë të tjera të botës) sikurse tha ai, për të ndërhyrë drejtpërdrejt ose tërthorazi në krijimin e qeverisë në Mal të Zi”.
Ai tha se legjilatura e 28-të e Kuvendit është pasqyrë e vullnetit të qytetarëve të Malit të Zi, të cilët sipas Kushtetutës janë mbartës të sovranitetit.
“Pres që formimi i qeverisë së 44-të të bazohet në vullnetin e shprehur lirisht të qytetarëve në zgjedhjet parlamentare, si dhe në përparësitë programore që do të mundësojnë anëtarësimin e përshpejtuar të Malit të Zi në BE, rritjen e standardeve të jetës si dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës”, tha zoti Milatoviç.
Komenti i presidentit malazez pason deklaratat e zyrtarëve të Beogradit për përfaqësimin e serbëve në qeverinë e re të Malit të Zi si dhe deklaratat e Ministrit të Mbrojtjes të Serbisë, Milosh Vuçeviç, i cili ditë më parë në një televizion në Beograd, kërcënoi Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Keni bërë një gabim që t’u bjerë kokës, ashtu siç u godit Ukraina. Ju keni hapur kutinë e Pandorës”, tha Milosh Vuçeviç .
Ai tha se “ka një mbështetje të madhe ndërkombëtare për krijimin e Shqipërisë së Madhe, duke shtuar se kjo nuk është çështje vetëm e Serbisë, por edhe e fqinjëve të saj”.
Edhe deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Socialistëve të ish-presidentit Milo Gjukanoviç, Andrija Nikoliç tha se zoti Vuçeviç po i bie daulleve të luftës me qëllim të destabilizimit të rajonit.
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për Serbinë, Sonja Biserko tha për mediat malazeze se “nuk duhet nënvlerësuar mundësia që Serb mund të bëjë diçka qo do të rezultonte në një destabilizim të mëtejshëm të rajoninit”.
Ajo tha se “letra e 60 zyrtarëve evropianë dhe anëtarëve të Senatit amerikan mbi nevojën e ndryshimit të politikës ndaj regjimit në Beograd, si dhe shkrimet shumë kritike në mediat perëndimore, tregojnë se Vuçiç është nën një trysni të madhe”.
Për zonjën Biserko, Kremlini nga ana tjetër po përforcon retorikën ndaj rajonit, ndaj sipas saj nuk duhet lënë jashtë vëmendjes propaganda ruse ndaj opinionit publik serb, që beson se Rusia po fiton (në Ukrainë) dhe se Serbia duhet të mbeshtet tek Moska./voa/