Mali i Zi është vendi i parë në rajon deri tani që është në fund të fazës së përballjes me koronavirusin e ri (Covid-19), transmeton arbresh.info.
Sipas autoriteteve shëndetësore në Mal të Zi, gjatë ditëve të fundit është shënuar një ulje e theksuar e të infektuarve me Covid-19, respektivisht ka katër ditë që nuk shënohet asnjë rast me koronavirus. Kjo situatë e mirë epidemiologjike ka ndikuar që Trupi Nacional Koordinues për sëmundjet infektive të shpallë planin e lehtësimit të masave të ndërmarra për shkak të pandemisë. Lëvizja e qytetarëve tani lejohet deri në orë 23.00, ndërsa shitoret punojnë deri në orën 22.00. Po ashtu janë hequr masat e veçanta dhe kufizuese që ishin në fuqi për banorët e komunës së Tuzit në Malësi. Trupi Koordinues Nacional sot ka mbledhjen e radhës, ku priten një sërë masash të tjera lehtësuese që do të fillojnë të aplikohen nga data 4 Maj.
Mali i Zi në fund të sfidës me Covid-19, fillon përgatitjet për kthim në normalitet
Mali i Zi është vendi i parë në rajon deri më tani që ka bërë me dije se është në fund të fazës së përballjes me koronavirusin dhe po përgatitet për t’u kthyer në normalitet. Kryeministri Dushko Markoviq ka deklaruar se Mali i Zi pritet që t’i kthehet normalitetit më 18 maj. Ndër të tjera Markoviq është shprehur se qeveria po përgatit vetëm një paketë serioze për industrinë e turizmit me bankat dhe Fondin e Investimeve dhe Zhvillimit, për të cilin ai tha se do të synojë të ruajë investimet në turizëm duke siguruar likuiditetin e ekonomisë së turizmit, në mënyrë që të jetë gati për të filluar sezonin. “Faza tjetër e përshpejtimit ekonomik dhe fillimi i aktiviteteve të reja është 18 maji, kur do të lansojmë hotele, restorante, kafene, klube dhe besojmë se në këtë mënyrë do të fillojmë të rikthejmë në jetë të gjithë vendin, për të vënë potencialin tonë krijues, ekonomik, qytetar dhe personal në një funksion të shpejtë të rimëkëmbjes,” ka thënë Markoviq.
Në 4 ditët e fundit asnjë rast i shënuar me koronavirus
Instituti për Shëndetin Publik ka kumtuar se prej dje pasdite deri sot në mëngjes janë analizuar 57 mostra në mesin e të cilave nuk ka pasur raste të reja të infektuara me koronavirus. Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Mall të Zi prej fillimit të pandemisë së koronavirusit është 321. Në Podgoricë me Covid-19 janë të infektuar 163 persona, në Tuz 37, në Nikshiq 34, në Tivar 23, në Ulqin 22, kurse në Budvë, Andrievicë e Plavë nga 7 te infektuar. Në Biello Pole e Herceg Novi nga kjo sëmundje janë prekur nga 6 persona, kurse në Danillovgrad, Tivat e Guci nga tre. Numri i përgjithshëm i të shëruarave nga koronavirusi është 189, kurse momentalisht raste të infektuara janë 125. Të theksojmë se në Mal të Zi prej fillimit të pandemisë kanë vdekur 7 persona.
Dyzetë milionë euro përkrahje për qytetarët dhe ekonominë
Kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviq ia ka prezantuar opinionit paketën e dytë të qeverisë të masave mbështetëse ekonomike për qytetarët dhe ekonominë, të cilën e ka miratuar qeveria dhe efekti i të cilës është 71,4 milionë euro bruto respektivisht, 40 milion euro për tre muaj. Kryeministri ka kumtuar se kjo pako e masave përfshin: Përkrahje për ekonominë dhe të punësuarit për disa mijëra ndërmarrës, ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme, në të cilat janë të punësuar mbi 100 mijë punëtorë. “Kjo masë e përkrahjes është shumë e gjerë dhe nënkupton të punësuarit në veprimtaritë që janë mbyllur dhe ato të rrezikuara, të punësuarit në pushim të paguar, të punësuarit në karantinim dhe vetëizolim, deri tek subvencionet për punësime të reja”, ka theksuar kryeministri. Markoviq ka shtuar se nga paketa e propozuar e masave shihet se qeveria ka punuar me përkushtim në gjetjen e zgjidhjeve më të mira dhe të sigurojë potencialin shtesë financiar për mbështetjen ndaj qytetarëve dhe ekonomisë. Kryeministri ka përkujtuar se Qeveria pas masave të para, urgjente ekonomike, ka zhvilluar dialog gjithëpërfshirës dhe të gjatë me të gjithë aktorët e rëndësishëm shoqërorë që paketa e dytë e radhës e masave të jetë efikase dhe dedikuar atyre që më së shumti u duhet për të ruajtur substancën e zhvillimit ekonomik.
Pavarësisht situatës së krijuar nga koronavirusi, Mali i Zi shpreson në të ardhmen evropiane
Mali i Zi beson se Bashkimi Evropian (BE) nuk do të heqë dorë nga politika e zgjerimit, në të cilin ka investuar shumë, edhe përkundër pandemisë se koronavirusit dhe ndikimit në dinamikën e aktiviteteve në planin e integrimeve evropiane, ka deklaruar bashkëbiseduesi kryesor, Aleksandar Drleviq. Ai, anëtarëve të Këshillit Parlamentar për Integrimet Evropiane i ka paraqitur aktivitetet në kuadër të procesit të integrimeve të Malit të Zi në BE për gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Nga sekretariati i përgjithshëm i Qeverisë është kumtuar se në këtë takim është shqyrtuar edhe realizimi i detyrimeve nga programi i asocimit të Malit të Zi në BE. Drleviq ka theksuar se përmes supozimeve që ndikimi shkatërrues i pandemisë mund të reflektohet edhe në rrjedhën dhe dinamikën e aktiviteteve në planin e integrimeve evropiane, Mali i Zi ka besim të plotë se BE-ja nuk do të heqë dorë nga politika e zgjerimeve dhe nga përpjekjet e mëdha të cilat i ka investuar në këtë drejtim. Ai ka shtuar se në Qeveri janë të vetëdijshëm për sfidat në fazën e ardhshme të bisedimeve me BE, siç janë realizimi i bilancit të rezultateve më konkurruese në planin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
ShBA-të do të vazhdojnë ta përkrahin Malin e Zi
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) do të vazhdojnë ta përkrahin Malin e Zi si mik, partner dhe aleat në forcimin e sistemit të tij shëndetësor dhe të ekonomisë në luftën kundër pasojave të shumta të pandemisë Covid-19, ka deklaruar ambasadorja e ShBA-së në Mal të Zi, Xhudi Raizng Rajnke. Ajo ka deklaruar se Qeveria amerikane ka ndarë 300 mijë dollarë si ndihmë shëndetësore për zbutjen e përhapjes së epidemisë së Covid-19 në Mal të Zi. “Këto 300 mijë dollarë si ndihmë e USAID-it janë pjesë e investimeve afatgjate amerikane në Mal të Zi në shumë të përgjithshme për mbi 332 milionë dollarë , përfshirë këtu edhe mbi 1 milion dollar për sistemin shëndetësor” ka theksuar Rajnke. Ajo ka shtuar se ShBA përmes agjencisë amerikane për zhvillimin ndërkombëtarë, USAID, bashkëpunon me Qeverinë e Malit të Zi, me partnerët humanitarë ndërkombëtarë dhe me aktorët e tjerë në identifikimin e zonave prioritare për mbështetje./arbresh.info/
Vullneti e komenton me Arionin situatën mes Sarës, Drilonit ...
Haradinaj në Junik: Plani ynë për Kosovën Fituese – an...
Salah dëshiron të vazhdojë me Liverpoolin, por s’ka as...
Osmani takon mërgimtarët në Kanada: Kudo, një copëz Kosove &...
GJKKO dënon me 2 vjet e 8 muaj burg ish-kryebashkiakun e Dur...
Murati – Bajramit: Hykmete, s’paske mësu as sot, ulu njësh