Rreth 20% e ndotjes së ajrit vjen nga automjetet dizel, thuhet nga vlerësimet e Ministrisë së Ekonomisë. Përveç industrisë së rëndë, firmave të vogla, djegies së pyjeve e deponive të egra dhe ngrohjes së amvisërisë, 1/5 e ndotësve të ambientit jetësor shkaktohet nga makinat, të cilat emetojnë gazra CO2 mbi të lejuarën. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se Qeveria bëri gabim kur para 9 vitesh mundësoi importimin e automjeteve të vjetra, shumica e të cilëve me motor dizel dhe që ishin jashtë standardeve ekologjike.
“Është një numër i madh i veturave në Maqedoni të cilat janë me dizel, duhet të kujtojmë edhe vendimin e Qeverisë dikur rreth vitit 2010 kur lejoi importin e veturave që nuk ishin me standardet evropiane dhe në atë mënyrë u rrit ndikimi negativ i automjeteve sa i përket ambientit në vendin tonë, ku përafërsisht është rreth 20% si pjesë e ndotjes së ambientit pikërisht në vendet ku ndotja tejkalon të gjitha masat e parapara”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.
Nga Ministria e brendshme thonë se aktualisht mbi gjysmë milioni automjete qarkullojnë në trafikun e të gjithë vendit, prej të cilave 57% djegin naftë. Sipas të dhënave të MPB-së vërejmë se vetëm në vitin 2017 regjistrimin e parë e kanë bërë 39,600 automjete, kurse në vitin 2018 regjistrimin e parë e kanë bërë 42,507 automjete. Ky trend sipas policisë sivjet është në rritje e sipër.
“Viti 2018 të regjistruara figurojnë gjithsej 517,023 automjete. Prej tyre 294,735 automjete janë me motor dizel, 218,554 me motor benzinë, 12,111 me gaz dhe pjesa e mbetur me derivate të tjera”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Ambientalistët thonë se qeveria duhet të luftojë në mënyrë më serioze ndotjen e ajrit. Deputetja nga partia e gjelbër, njëherit edhe eksperte ekologjike Liljana Popovska tha se djegia e derivateve jo cilësore si në industri ashtu edhe në amvisëri janë ndotësit kryesorë të ajrit.
“Nuk jemi të verbër, shohim që oxhaqet tymojnë. Edhe ata që kanë filtra nuk i aktivizojnë për të kursyer energjinë elektrike. Nga ana tjetër, duhet të bëhet revizion të lejeve A-integrale në fabrikat e mëdha për të parë me çfarë derivate u lejohet të djegin. Duhet tu bëhet ndalesë me ligj përdorimit të qymyrit, mazutit, naftës së kuqe, gomave të prera që përdoren për si lëndë për ngrohje. Të gjitha këto janë të dëmshme, kancerogjene dhe ngritin dendësinë e CO2 në ajër”, deklaroi Liljana Popovska, Kryetare e partisë së gjelbër “RDM”.
Dje Qeveria paralajmëroi masa të përforcuara për të zbutur ndotjen e ajrit, duke formuar ekipe koordinuese të inspektorëve dhe policëve që do të kryejnë kontrolle në terren për t’i gjetur ndotësit, të cilët kanë trefishuar dendësinë e grimcave PM10 në ajër. Ndërkaq sot, në Ministrinë e Ekonomisë u përmend edhe subvencionimi i pajisjeve të gazit nëpër automjete, për të cilat me rebalancin e buxhetit u ndanë 15 milion denarë. Si masë për luftën kundër ndotjes së ajrit që shkaktohet nga automjetet, ministri Bekteshi tha se që dje ka filluar subvencionimi prej 50% të shpenzimeve, por jo më shumë se 300 euro, të makinave të cilat do të integrojnë këtë sistem. Sipas parashikimeve, këtë mundësi mund ta shfrytëzojnë rreth 900 automjete me motor benzinë, të cilat vitin e prodhimit duhet ta kenë jo më të vjetër se 2015./Alsat/
Rivarrosen tri viktima të luftës që ishin në listën e person...
Gresa e nervozuar me Xuxin, e kundërshton për gjithçka
ASK: Prodhimi i thëngjillit ishte rreth 723.12 mijë ton
Sulmohet nga forcat ruse edhe ambasada e Maqedonisë së Veriu...
Qeveria amerikane rrezikon mbyllje të pjesshme në mesnatë
Dy persona kanë qëlluar në drejtim të policisë në Dibër