Publicisti shqiptar në Amerikë, Uk Lushi, ka folur për zgjedhjet parlamentare të Malit të Zi që u mbajtën dje, njofton Klan Kosova.
Lushi ka deklaruar se këto zgjedhje ishin kryesisht të mira, në krahasim me ato të vitit 2016 të cilat sipas tij u bënë nën dramacitetin e një tentim puçi.
Ai në një intervistë për klankosova.tv theksoi se qytetarët atje duhet të jenë të lirë të zgjedhin në atmosferë të qetë, duke shtuar se Kisha Ortodokse Serbe ka ndërhyrë në politikë dhe në zgjedhjet e Mal të Zi.
“Por edhe kësaj radhe u pa që Mali i Zi ende nuk është shtet i legjitimuar plotësisht nga krejt popullata e tij dhe shtetasit me orientim proserb dhe prorus vazhdojnë të shikojnë kah Serbia dhe shpesh veprojnë si vegla të Serbisë, Rusisë dhe lojtarëve tjerë të jashtëm, të cilëve u pengon stabiliteti i Malit të Zi dhe balansat e reja gjeostrategjike që formimi i këtij shteti mëton t’i vendosë në Ballkan”.
“Qytetarët duhet të jenë të lirë të zgjedhin në atmosferë të qetë siç duhet të kenë lirinë e religjionit, mirëpo, përsëri u provua, Kisha Ortodokse Serbe ndërhyn dhe fut hundën në politikë dhe zgjedhjet në Mal të Zi”.
“Tensionet dhe polarizimet etnike, religjioze dhe politike ishin çfarë e bënë pjesëmarrjen e votueseve të lartë 75.9%. Në këtë çatrafilim partia e Gjukanoviqit, njeriu që ka 29 vite në pushtet, arriti një fitore të Pirros me 29 ulëse. DPS e Gjukanoviqit bashkë me boshnjakët dhe shqiptarët mund të arrijnë numrin prej 39 deputetëve në parlamentin me 81 ulëse. Ky numër nuk mjafton për të marrë shtetin në duar të tyre. Koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi”, në anën tjetër, fitoi 28, ai “Paqja është kombi ynë” 10 dhe subjekti i përzier etnik URA (“Bardh e Zi”) me në krye shqiptarin Dritan Abazoviqi 4 vende në parlament, duke e bërë këtë të fundit faktorin (ndoshta) vendimtar se kush do të ketë pushtetin qeverisës në Mal të Zi”.
“Gjukanoviqi do të jetë presidenti i vendit dhe ka gjasa që për herë të parë prej vititi 1991 ai mbase do t’i duhet t’ ja japë dikujt tjetër mandatin për qeverisje, e jo partisë së tij DPS dhe satelitëve të saj”.
Lushi ka thënë se rezultatet e dy listave shqiptare që kandiduan në këto zgjedhje ishin më të mira se herën e fundit, porse jo maksimale sikur të kishte një front elektoral etnik.
“Shqiptarët në Mal të Zi, fatkeqësisht, si në disa shtete tjera në Ballkan ku jemi grup me rëndësi, nuk po mund t’i ikin fragmentarizimit të fuqisë votuese. Kësaj radhe rezultatet ishin më të mira se herën e fundit, porse jo maksimale sikur të kishte një front elektoral etnik. Po të kishte pasë një Listë Shqiptare do të ishin siguruar më shumë vota dhe deputetë shqiptarë”.
“ Në vitin 2016 shqiptarët morën rreth 9500 vota kurse këto zgjedhje diku 11 000. Një rritje e vogël, por jo si do të duhej të ishte. Ç’ është më më rendësi, shqiptarët po të kishin qenë bashkë dhe të mos votonin për DPS do të kishin marrë p.sh. më shumë se 7 Këshilltarë në Asamblenë e Komunës së Gucisë, e mbase në koalicion me boshnjakët do ta kishin udhëhequr këtë Komunë”.
“Shkurt e shqip, shqiptarët në Mal të Zi janë duke mësuar si të lozin politikën dhe numerologjinë elektorale, veçse jo mjaftueshëm shpejt dhe janë duke harruar që pa të drejta kombëtare nuk ka të drejta të plota qytetare”.
I pyetur se çfarë do të nënkuptonte për shqiptarët atje zgjedhja e Milo Gjukanoviq kryeministër, ai tha se ata fillimisht duhet të qesin kushte për këdo që i nevojitet për pushtet.
“Gjukanoviqi është kalcifikuar në politikë. Ai është sjellë si një akrobat makiavelist duke kaluar nga nxënës i Millosheviqit në përkrahës i NATO-s. Shqiptarët fillimisht duhet të qesin kushte për këdo që i nevojit për pushtet. Shqiptarët duhet të ndajnë pushtetin sepse Mali i Zi është shtet duke ju falënderuar pikërisht shqiptarëve që vendosën anën e fitueseve të Referendumit për Pavarësi. Strategjikisht subjektet dhe përfaqësuesit demokratikë të shqiptarëve në Mal të Zi nuk duhet asesi të bëhen aksesorë të partive apo interesave serbo-ruse në Mal të Zi. Ka mundësi që në Mal të Zi të luftohen korrupsioni dhe keqqeverisja dhe njëkohësisht të mos çohet ujë në mullirin e Serbisë dhe atyre që duan shkatërrimin e Malit të Zi”.
Pos tjerash Lushi ka komentuar edhe atë se a ka rol të madh në formimin e qeverisë së re Dritan Abazoviq.
Publicisti i njohur ka thënë se Abazoviq padyshim që do të ketë rol të rëndësishëm, por se nuk duhet të ekzagjerohet roli i tij.
“Dritan Abazoviq padyshim që do të ketë rol të rëndësishëm. Ama nuk duhet të ekzagjerohet roli i tij. Kush e ka përcjellur rrugëtimin politik të Abazoviqit e vëren që ai është një politikan ambicioz me qasje qytetare por që shmang dhe nënçmon ngapak të drejtat kombëtare si pjesë kruciale e të drejtave qytetare. Retorika e tij, fjala vjen, kundër korrupsionit mund të jetë mjet për realizim të qëllimeve karrieriste. Abazoviqi në disa raste ka keqpërdorur p.sh. Skënderbeun dhe historinë shqiptare për poena politikë”.
“ Shqiptari nga Ulqini Abazoviq duhet të tregojë më shumë se sa ka dijeni për ekonominë, qeverisjen dhe të drejtat njerëzore se sa historinë. Megjithatë ai ka një rast të përcaktohet se a do të jetë me shqiptarët dhe forcat që duan Malin e Zi përfundimisht jashtë rrezikut të kthetrave serbo-ruse apo do të bëhet me forca që e duan Malin e Zi të brishtë dhe jostabil në aspektin e sigurisë dhe përcaktimit me NATO-n”.
“Fakti që ai është shqiptar nuk duhet të jetë me rëndësi për shqiptarët e Malit të Zi. Shqiptarët duhet të qesin kushte edhe për Abazoviqin dhe nëse URA lidhet me forca që anojnë kah Serbia nuk duhet bashkëpunuar me të edhe nëse shqiptarët mbesin në opozitë. Mali i Zi në NATO dhe me të drejta të plota edhe për shqiptarët, Mali i Zi përkrahës i Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, Mali i Zi që lufton korrupsionin dhe për mirëqenie për shqiptarët dhe të gjithë qytetarët duhet të jetë synim i çdo shqiptari në Mal të Zi”, ka thënë Lushi për klankosova.tv.
Banorët e Big Brother VIP Kosova shokohen nga rrëmuja në sht...
Ali Khamenei: Dënoni me vdekje Netanyahun dhe autoritetet iz...
Hoti: Buxheti 2025 u miratua me dy shkelje ligjore, Zyra e P...
Hoti: Nuk do të lejoj të më njolloset emri, ministri Peci të...
Drenusha-Sarës: E di që vet ia del, nuk ke nevojë për ndihmë...
Inaugurohet fillimi i punimeve për ndërtimin e Parkut Indust...