LSDM dhe BDI thonë se nuk ka krizë në koalicionin qeveritar

16:07 | 14 Shkurt 2020
Arbresh.info

Debati që zhvillohet në seancën rreth Ligjit për Prokurorinë Publike, ka bërë të jetë e paqartë nëse do të shpërndahet Kuvendi këtë javë, në mënyrë që zgjedhjet e planifikuara për më 12 prill të mbahen.

Por nga LSDM dhe BDI thonë se gjithçka është në rregull, duke iu përgjigjur informacioneve për krizë në koalicionin qeveritar, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Zaev sot njoftoi se postimi i sekretarit të përgjithshëm të LSDM-së Ljupço Nikollovski, se ekziston mundësi reale që të formohet shumicë e re parlamentare pa BDI-në, ka qenë që të ndalohen lojërat në Kuvend.

Ndërsa Artan Grubi tha se BDI i mbështet të gjitha ligjet kyç dhe nuk i kushtëzon njëri me tjetrin.

Megjithatë, edhe kryeministri teknik Oliver Spasovski, ka theksuar se nëse nuk miratohet Ligji për Prokurorinë Publike, mbetet opsioni që të formohet shumicë e re parlamentare dhe të mos mbahen zgjedhjet e 12 prillit. Spasovski theksoi se marrëdhëniet me BDI-në janë korrekte dhe nuk pritet të ketë pengesa në Kuvend.

“Marrëdhëniet me BDI janë të korrekte, ashtu si e filluam koalicionin me ta, ashtu do ta përfundojmë. Nuk pres që do të ketë ndonjë vonesë të mëtejshme të pakuptueshme në miratimin e zgjidhjeve ligjore, nëse pengohen ligjet, atëherë do të mendojmë për këtë”, tha Oliver Spasovski.

Drama politike ndodhi mbrëmë pas kushteve të reja të vendosura nga BDI, të cilat zemëruan LSDM-në, dhe sekretari i përgjithshëm i tyre Ljupço Nikollovski në Facebook shkroi:

“Pas raportimeve që BDI dhe Besa kanë dalë me kërkesat e tyre dje, duke kushtëzuar shumicën prej dy të tretave për Ligjin për Prokurori Publike, ekziston një mundësi reale e një mazhorance të re parlamentare dhe më pas një qeveri e re e qëndrueshme që do të organizonte zgjedhje të rregullta parlamentare”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme