Google ADS

Liqeni i Prespës, rënie drastike e nivelit të ujit

22:06 | 15 Mars 2020
Arbresh.info

Rënia drastike e nivelit të Liqenit të Prespës dhe gjendja alarmante në të cilën gjendet, mund të ketë ndikim edhe ndaj liqenit të Ohrit, vlerësojnë hidrologët. Sipas tyre madje 50% i ujit nga liqeni i Prespës derdhet në burimet e Shën Naumit prej ku liqeni i Ohrit. Hidrologu Zdravko Kërstanovski vlerëson se shkaku kryesore për gjendjen momentale është faktori njeri dhe pompimi i ujërave jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Shqipëri dhe Greqi.

“Këto reshje momentale të shiut nuk janë shpëtim për ujin. Shpëtim janë reshjet e borës, që fatkeqësisht nuk ka kohë më të gjatë. Një problem i tillë mund të paraqitet edhe në liqenin e Ohrit ndërsa kjo varet nga derdhja e liqenit të Ohrit përmes Drinit të Zi gjegjësisht përmes derdhjes jo të rregullt. Për këtë, duhet të rregullohet derdhja e liqenit të Ohrit nga Drini i Zi dhe të ndërtohet sistem më i sofistikuar i rregullimit e jo ky me dërrasa që nxirren sipas nevojave të kompanisë ELEM”, deklaroi Zdravko Krstanoski- hidrolog

Nëse nuk ndërmerren masa urgjente, liqeni i Prespës mund të shuhet në tërësi.

“Liqenet janë krijesa që njëherë janë krijuar dhe ngadalë mund të shuhen ndërsa njeriu me aktivitetet e tij në kuptim negativ, mund ta përshpejtoj këtë proces të shuarjes. Ndryshe, po të mos kishte liqeni i Ohrit burime nënujore dhe sipërfaqësore, do të boshatisej për 75 vite”, tha Zdravko Krstanoski- hidrolog

Biologu nga Instituti hidro-biologjik, Trajçe Taleski thotë që krahas thatësisë, faji duhet të kërkohet edhe te bujqit të cilët me ujin e liqenit i ujitin sipërfaqet e mbjella.

“Fajtorë jemi ne dhe Republika e Greqisë sepse ka pompim të pakontrolluar të ujit, qoftë nga puset arteriale apo drejtpërdrejtë nga liqeni, me çka ulet vëllimi i tij”

Niveli i liqenit të Prespës, sipas të dhënave zyrtare, ka rënë për rreth 315 cm dhe ka arritur nivelin më të ulët në 30 vitet e fundit. Sipas llogaritjeve, liqeni ka humbur ujë sa dy liqene të Dojranit.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme