Ligji për përdorimin e gjuhëve nuk është më primar

20:34 | 22 Nëntor 2017
Arbresh.info

Anulohet procedura e leximit të dytë për propozim ligjit për përdorimin e gjuhëve. Alsat M jo zyrtarisht mëson se Brukseli ka kërkuar që prioritet t’i kushtohet ligjeve të përfshira në planin e reformave, të cilat do të ndihmonin Maqedoninë drejtpërdrejtë në marrjen e rekomandimit pozitiv në shkurt të vitit 2018. Burimet shtojnë se prioritet do t’i kushtohet anulimit të ligjit për verifikimin e fakteve, ndryshimet në ligjin për dëshmitarët e mbrojtur dhe zgjedhjen e kryeprokurorit publik.

Anulimi i datës për seancën e Komisionit për Çështje Evropiane që duhej të mbahej sot, është në përputhshmëri edhe me deklaratën e komisionarit për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn i cili ditë më parë qëndroi në Maqedoni. Hahn porositi Qeverinë që prioritet t’i kushtojë reformave dhe se ligji për përdorimin e gjuhëve nuk është as prioritet dhe as kërkesë e Brukselit.

“Mendoj se kjo është një kërkesë e arsyeshme dhe siç e thash edhe gjatë bisedave bilaterale sot dhe herëve të kaluara. Mendoj se për autoritetet duhet të ishin prioritet ato sfera të cilat nevojitet marrja e rekomandimit pozitiv nga ana jonë në fillim të vitit të ardhshëm. Nëse do të miratohej ligji për përdorimin e gjuhëve javën e ardhshme mbi bazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, do të ishte në rregull por është e rëndësishme që Qeveria dhe aktorët tjerë në vend, mbi ato ligje dhe kushte që janë relevante për rekomandimin pozitiv”, deklaroi Johannes Hahn, Komisioner Evropian, gjatë qëndrimit të tij në Shkup.

Burime të Alsat M shpjegojnë se ditëve në vijim Kuvendi do të tentojë që në rend dite të vendosë zgjedhjen e kryeprokurorit të ri si dhe të miratojnë ndryshime në ligjin për dëshmitarët e mbrojtur. Pavarësisht ndryshimit të planit të shumicës, afati për dorëzimin e amendamenteve për propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve ka përfunduar ditën e hënë. Nuk dihet nëse ligji mund të gëzojë edhe më tej flamurin evropian i cili rrezikon të hiqet nga propozim-ligji.

OBRM-PDUKM-ja ka propozuar 83 amendamente, LSDM 4, ndërsa Lëvizja Besa 2 amendamente. Pas dorëzimit të tyre dhe caktimit të datës për fillimin e punës së Komisionit për Çështje Evropiane, para Kuvend me tenda u paraqitën protestues nga organizata “Të palëkundurit” të cilët kërkuan anulimin e këtij ligji. Pak orë më vonë të njëjtit u tërhoqën. Edhe pse nuk dihet se kur do të thirret Komisioni amë për propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve, leximi i amendamenteve në Komisionin amë do të zgjas 3 ditë, nga që propozimi aktualisht ka flamurin Evropian. Pas kësaj, ligji do të kalojë në Komisionin juridiko-ligjvënës dhe më pas në seancë plenare ku edhe pritet debat i gjatë.

https://youtu.be/J497263Xp9U

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme