Google ADS

Kushtetuesja e Maqedonisë vendosi: Referendumi është në përputhje me Kushtetutën

22:58 | 19 Shtator 2018
Arbresh.info

Me 7 vota “për” dhe 2 vota “kundër” gjykatësit kushtetues i dhanë dritën jeshile mbajtjes së referendumit.

Mbështetës të iniciativës ishin vetëm gjykatësi Jovan Josifovski dhe Gjykatësja Elena Gosheva.

Kjo e fundit gjatë seancës theksoi se në vendimin për shpalljen e referendumit nuk janë përfshirë të gjitha elementet që duhet të posedojë një vendim për referendum.

“Nga analizat vlerësoj se ka mangësi të veçanta juridike, gjë që është sipas Kushtetutës. Në vendim nuk është vendosur tërë emri i Marrëveshjes për Emrin, pyetja nuk është precize – është hutuese, e gabuar dhe e paqartë.”, deklaroi gjykatësja kushtetuese, Elena Gosheva. Gjykatësit Sali Murati, Osman Kadriu, Naser Ajdari, Vlladimir Stojanovski, Darko Kostadinovski dhe Vangelina Markudova si dhe kryetari i Gjykatës Nikolla Ivanovski të gjithë ishin kundër iniciativës.

Gjykatësi Sali Murat, ka bërë krahasim me referendumin e ‘91, kur ashtu siç tha, ka pasur më shumë pyetje në një dhe për të nuk duhet të problematizohet në aspektin kushtetues.

Sipas gjykatësit Osman Kadriu asnjë dispozitë e Kushtetutës nuk është shkelur me vendimin për referendum.

Ai tha se ky vendim ka dalë nga shtëpia ligjvënëse dhe nuk duhet të kontestohet ligjshmëria e saj, shkruan TV21.

“Vendimi nuk mund të thuhet se është i paligjshëm pasi qëështë miratuar me shumicë të votave në organet ligjvënëse.”, deklaroi gjykatësi kushtetues, Osman Kadriu.

Në Gjykatën kushtetuese kanë arritur tre iniciativa për të vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimit për shpallje të referendumit.

Parashtruesit e iniciativave pas vendimit u shprehën se gjykata ka punuar nën dirigjencë politike dhe se nuk janë marrë parasysh faktet ligjore dhe kushtetuese.

Todor Petrov nga Kongresi Botëror Maqedonas tha se ishte e qartë shtypja e bërë ndaj gjykatësve.

“Gjykatësit në seancë ishin kontradiktorë. Ata nuk deshën të debatojnë për Marrëveshjen me Greqinë, por konkluduan se çështja e referendumit nuk votohet për BE dhe NATO, por për Marrëveshjen me Greqinë. Gjykata, për fat të keq, konsideroi se BE nuk është as një aleancë për të cilën duhet të shpallet referendum.”, deklaroi kryetari i Kongresit botëror maqedonas, Todor Petrov.

Parashtruesi i iniciativës tjetër, Dimitar Apasiev nga Levica akuzoi se dikush i ka thirrur gjykatësit dhe ka dashur të ndikojë në vendimin e tyre për iniciativat.

“Kjo është një ditë e turpshme për sundimin e ligjit në Republikën e Maqedonisë. Sot, shteti ligjor gjunjëzohet përmes një vendimi politik dhe jo një vendimi ligjor nga gjykatësit. Detyra jonë si opinion është që të shohim se kush i ka thirrur gjykatësit dhe u përpoq të ndikojë në rezultatin e kësaj iniciative”, deklaroi Dimitar Apasiev, nga partia e Majtë.

Përkundër këtyre reagimeve, zëdhënësi i qeverisë Mile Boshnjakovski ka theksuar se qeveria në asnjë situatë nuk do të komentojë vendimet e sjella nga Gjykata kushtetuese./21Media

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm