Dita kur do të votohen anëtarët e ri të Kabinetit qeveritar nënkupton kufij kohor kur grupi parlamentar i Lëvizjes Besa në Kuvend do të duhet të pozicionohet, si pozitë ose opozitë, deklaroi kreu i Kuvendit Talat Xhaferi në takim me gazetarët.
Lëvizja Besa pas zgjedhjeve parlamentare formoi grup parlamentar me pesë deputetë, tre prej të cilëve i takojnë grupit të Besës që më vonë u nda nga partia e drejtuar nga Bilall Kasami. Krahu i Besës i drejtuar nga Afrim Gashi, tashmë ka marrëveshje për t’u bërë pjesë e pushtetit, me një kandidat për ministër të Kulturës.
Nga e premtja, ata nuk do të mund të funksionojnë si grup parlamentar dhe të kenë kundërthënie por do të duhet të definohen – shtoi Xhaferi.
Përveç ndikimit në punën e Kuvendit, kjo çështje prek edhe më tej. Më 11 qershor pritet të shpallet edhe konkursi për shtatë anëtarët e ri të KSHZ-së i cili do të zgjasë tetë ditë. Mes tyre, katër duhet të jenë të pozitës dhe tre të opozitës. Gjegjësisht sipas ndryshimeve të fundit dhe praktikës së deritanishme, KSHZ-ja duhet të ketë kryetar dhe një anëtar nga radhët e VMRO-së, nënkryetar dhe dy anëtarë nga radhët e LSDM-së, një anëtar nga radhët e BDI-së dhe një anëtar nga radhët e partisë më të madhe opozitare shqiptare. Në rast të shpërbërjes së grupit parlamentar të Besës dhe kalimit të tre deputetëve të saj në radhët e pushtetit, partia e Kasamit në Kuvend mbetet e përfaqësuar vetëm nga dy deputetë, po aq sa ka edhe Aleanca për Shqiptarët. Dilema mbetet e hapur për atë se cila nga dy partitë do të përfaqësohet në KSHZ, në rast të ndarjes së deputetëve të Besës.
Sipas deputetit Fadil Zendeli nga radhët e krahut të Kasamit, grupi parlamentar i Besës zyrtarisht është deklaruar dhe funksionon si opozitë, kurse në rast se deputetë të caktuar duan të lëshojnë grupin, duhet të deklarohen individualisht për këtë.
“Rreth çështjes së përfaqësimit në Komisionin për zgjedhje do të deklarohemi kur të vijë koha e asaj çështje. Grupi parlamentar, teknikisht është ende në fuqi dhe ende funksionon. Tani mbetet që ato tre deputetë, kolegët tonë me të cilët ne kemi komunikim si kolegë deputetë, të deklarojnë a do të jenë pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Besa dhe politikave të cilat Besa si parti opozitare do t’i realizojë në Kuvendin republikan” – deklaroi Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.
Nga grupi i Afrim Gashit thonë se akoma nuk kanë marrë një vendim për veprimin e tre deputetëve të tyre.
“Dihet që koordinator i grupit parlamentar të Lëvizjes Besa është kryetari Afrim Gashi dhe në këtë drejtim nuk është më rëndësi se çfarë thonë të tjerët. Aktualisht jemi në përfundim të procesit të rikonstruimit të Qeverisë dhe menjëherë pas mbylljes së këtij procesi do të gjejmë zgjidhje edhe për grupin parlamentar” – tha Orhan Murtezani, Lëvizja Besa e drejtuar nga Afrim Gashi.
Në përbërjen paraprake të KSHZ-së, Besa ishte e përfaqësuar me një anëtare e cila zëvendësoi atë të PDSH-së./Alsat-M
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...