Google ADS

Kurti shkakton “furtunë” në Maqedoninë e Veriut, kërkohet ndëshkimi i kryetarëve të Çairit e Tetovës

15:06 | 15 Gusht 2023
L G

Vizita e Albin Kurtit pak ditë më parë në komunat e Çairit dhe Tetovës në Maqedoninë e Veriut ka shkaktuar debate në opinionin publik.

Krerët më të lartë të shtetit kanë kërkuar ndëshkimin e kryetarëve të komunave të Çairit dhe Tetovës për sjellje nacionaliste dhe përdorim vetëmn të flamurit shqiptar.

Një vizitë në dukje të parë e zakonshme e kryeministrit të Kosovës tek shqiptarët e Shkupit dhe Tetovës më 11 gusht, po trazon prej disa ditësh opinionin publik në Maqedoninë e Veriut. Kryeministri, presidenti si dhe eksponentë të ndryshëm të jetës publike po kërkojnë ndëshkimin e kryetarëve të Çairit dhe Tetovës për siç pretendojnë ata sjellje nacionaliste, përdorim vetëm të flamurit shqiptar dhe këngë e retorikë për Shqipërinë e Madhe. Presidenti Stevo Pendarovski kërkoi sanksione duke thënë se simbolet nacionaliste që promovojnë ide shoviniste, po nxisin urrejtje dhe intolerancë etnike.

“Vendosja e ikonografisë provokuese nacionaliste që promovon ide shoviniste të shteteve të mëdha paraqet ndezjen e urrejtjes dhe intolerancës etnike, e cila pa mëdyshje sulmon parimet dhe vlerat bazë të Marrëveshjes Kornizë si dhe konceptin e Maqedonisë si shtet multietnik. Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e dispozitave ligjore për përdorimin e flamurit dhe himnit shtetëror dhe flamujve dhe simboleve të komuniteteve, duke i injoruar plotësisht simbolet e shtetit. Në atë drejtim, u bëj thirrje organeve kompetente që në një kohë sa më të shkurtër të kryejnë procedurat e parapara”, tha Pendarovski.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski kërkoi që prokuroria të hetojë edhe personat që mbanin pankarta me flamur të Shqipërisë Etnike. Por ende as prokuroria as policia nuk kanë arritur të kapin ndonjë person që do të përndiqej për këtë rast.

“Lloji i ikonografisë së vërejtur në manifestimin (në Tetovë) në prani të një përfaqësuesi të lartë të shtetit të huaj është i papërshtatshëm dhe i palejueshëm në një vend anëtar të OKB-së dhe në një vend anëtar të NATO-s, dhe lidhur me këtë ju njoftojmë se SPB Tetovë po merr masa për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rastit. Po ashtu, ju njoftojmë se gjatë ditës Zyra e Kryeministrit ka kontaktuar me ambasadorin e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, në lidhje me ikonografinë e përdorur gjatë vizitës private të kryeministrit të Kosovës në vend”, deklaroi Kovaçevski.

Edhe VMRO DPMNE-ja maqedonase ka kërkuar llogari nga qeveria që sipas tyre ka lejuar një vizitë private ku janë shfaqur pretendime territoriale dhe gjuhë nacionaliste.

“Zyrtarët kryesor të Maqedonisë së Veriut janë të irrituar edhe me ndryshimin e emrit të një rruge në Çair të Shkupit në Adem Demaçi, një prej figurave kryesore të Kosovës. Madje është nisur iniciativë zyrtare për rikthimin e emrit të vjetër që ishte Brigada e Dytë Maqedonase”, deklaroi nga Shkupi korrespondentja e Euronews Albania Ferikan Iljazi Arifi.

Zyrtarët shqiptar janë habitur me reagimet negative për vizitën e Kurtit dhe kanë siguruar se ka qenë vizitë private e një kryeministri tek bashkëkombasit e tij dhe se Kosova gjithnjë ka kultivuar marrëdhënie tejet të mira me RMV-në. /euronews.al/

Të ngjashme