Kryetari i Ulqinit dhe zyrtarët e tjerë që u arrestuan dje do të mbrohen në liri

08:30 | 19 Janar 2021
Arbresh.info

Kryetarit të Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq dhe katër bashkëpunëtorë të tij, të cilët u arrestuan të hënën u është shqiptuar masa e mbrojtjes në liri.

Këtë e konfirmoi prokurori i Prokurorisë Themelore të Shtetit në Ulqin, Faruk Rasulbegoviq për Radio Televizionin e Malit të Zi.

Policia nuk ka njoftuar ende zyrtarisht në lidhje me këtë rast, por zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq, më herët, në llogarinë e tij në Twitter e konfirmoi informacionin për arrestimin e zyrtarëve.

“Kryetari i Ulqinit dhe degës lokale të Partisë Demokratike të Socialistëve është arrestuar, së bashku me disa zyrtarë të tjerë. Arsyeja: punësimi partiak”, tha Abazoviq, për të shtuar se qeveria “është e vendosur për t’iu dhënë fund të gjitha abuzimeve”.

Policia ka marrë në pyetje edhe sekretarin për Financa të Komunës së Ulqinit, Sead Osmanoviq, sekretarin për Aktivitete Komunale dhe Mbrojtje të Mjedisit, Mustafa Gorana, drejtorin e Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Saubih Mehmeti, dhe sekretarin e Policisë Komunale, Milazim Mustafa.

Që nga zgjedhjet lokale të vitit 2018, pushtetin në Ulqin e mban një koalicion i udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve.

Si rezultat i zgjedhjeve parlamentare që janë mbajtur në fund të gushtit, Qeveria e re e Malit të Zi është formuar më 4 dhjetor dhe ajo udhëheqiet nga ish-opozita, përkatësisht Fronti Demokratik, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA.

Partia Demokratike e Socialistëve ka dalë në opozitë pas tri dekadash në pushtet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme