Google ADS

Kryeministri Zaev për aktakuzën ndaj Osmanit: Askush nuk është fajtor, nëse ajo nuk thuhet me aktgjykim

15:37 | 11 Tetor 2018
Arbresh.info

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev duke folur për aktakuzën ndaj ish ministrit të Shëndetësisë, tash zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane, Bujar Osmani ka deklaruar se askush nuk është fajtor, përderisa ajo nuk thuhet me aktgjykim, dhe se aktakuzat e reja të Prokurorisë Speciale Publike nuk duhet të shihen si trysni ndaj deputetëve të VMRO-DPMNE-së, transmeton Portalb.mk.

“Qëndrimi im gjithmonë ka qenë i njëjti, dhe vazhdon të jetë i njëjtë. Askush nuk është fajtor, derisa ajo nuk thuhet në aktgjykim. Ky është vetëm hetim. Do të doja t’i dija detajet, do ta ndjek me vëmendje procesin dhe në kohë do të ndërmarr aktivitete nëse diçka është e lidhur me dinjitetin e Qeverisë”, tha Zaev.

Se aktakuzat e reja të PSP-së a janë duke ushtruar trysni ndaj deputetëve të partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE-së, për të votuar “për” ndryshimet kushtetuese të cilat tashmë janë në procedurë kuvendore, kryeministri Zaev tha se ajo mund të trajtohet edhe kështu, sepse Maqedonia gjendet në një periudhë specifike.

“Maqedonia është një periudhë specifike, dhe tërë kjo çfarë po ndodh mund të interpretohet edhe kështu, edhe ashtu. E di se sistemi duhet të funksionojë paralelisht. Nuk jam i informuar për detajet. Lexova në media se ajo po ndodh, nuk shoh asnjë lidhje me atë që ndodh në Kuvend, për këtë debati është transparent, publik, dhe ashtu do të sillen vendimet gjithandej”, tha Zaev.

Nga ana tjetër, partia opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët ka kërkuar nga kryeministri Zaev që ta shkarkojë zëvendëskryeministrin Osmani, për siç thonë ata, që procesi të zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe pa ndikim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme