Opozita maqedonase dhe ajo shqiptare vazhdojnë të këmbëngulin se pushteti kishte rrëmbyer një deputet të Lëvizjes Besa për të prishur numrin e duhur të votave para mocionit të djeshëm të mosbesimit ndaj Kryeministrit Zoran Zaev. Ndërkohë, vetë deputeti është shfaqur në video duke thënë se vendimin për të mos votuar rrëzimin e qeverisë e ka marrë me vullnetin e tij të lirë. Ndërkohë, partitë në pushtet, tashmë që kabineti i zotit Zaev i mbijetoi mocionit, thonë se shumica parlamentare do të rritet.
Nisma për mocionin e mosbesimit ndaj kryeministrit Zoran Zaev dhe qeverisë së tij u shoqërua me ngjarje jo të zakonta, pasi një deputet i Lëvizjes Besa u pendua dhe u tërhoq nga synimi i opozitës për rrëzimin e kryeministrit Zoran Zaev dhe kabinetit të tij qeveritar.
Deputeti Kastriot Rexhepi në kohën kur po bëheshin përpjekje për fillimin e debatit në parlament, njoftoi përmes rrjetit Facebook se nga përfaqësues të lartë diplomatikë i është komunikuar se në muajin dhjetor vendi ka gjasa të mëdha për të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE dhe prandaj nuk do ta rrezikonte këtë duke e rrëzuar qeverinë.
Por, shumë shpejt pas kësaj, partia e tij Lëvizja Besa u vu në kërkim të deputetit, i cili nuk ishte në parlament. Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami e paraqiti atë në polici si të zhdukur, e më pas tha se deputeti ishte rrëmbyer së bashku me familjen e tij, duke e akuzuar kështu pushtetin se po bllokonte mocionin në mënyra diktatoriale. Edhe VMRO-DPMNE-ja u paraqit në një linjë me Lëvizjen Besa kundër pushtetit.
Por, vetë zoti Rexhepi u shfaq më pas po në Facebook me një video ku thoshte se ishte shëndoshë e mirë dhe se ka vepruar me vullnetin e tij, pa trysni, por se nga ana tjetër kolegë të partisë së tij po e kërcënonin për vendimin e marrë.
“Bilall Kasami dhe të tjerët nuk ka nevojë të shqetësohen për mua. Jam në vend të sigurtë, jam në anën e duhur; jam me shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e vendit të cilët dëshirojnë paqe, liri, demokraci. Jam me BE-në, NATO-n dhe jo me qarqet anti-shqiptare. Sapo të kalojnë disa rreziqe nga kërcënimet e disa individëve do të paraqitem para medias për të sqaruar gjithçka”, thoshte deputeti, vendndodhja e të cilit ishte bërë enigmë.
Opozitës i duheshin 61 ligjvënës për ta rrëzuar qeverinë e zotit Zaev.
Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut e mbylli mbrëmë para mesnate seancën, në të cilën madje nuk arriti të hapej debati për shkak të mungesës së kuorumit, pasi partitë në pushtet LSDM dhe BDI e bojkotuan.
Kështu, kryeministri Zaev dhe kabineti i tij i mbijetuan mocionit që ishte shumë pranë rrëzimit të tij. Tani opozita nuk ka mundësi të ngrejë një mocion tjetër mosbesimi pa kaluar tre muaj.
Lëvizja Besa e quan akt tradhëtie veprimin e deputetit të saj Rexhepi, ndërsa Aleanca për Shqiptarët e opozitës thotë se mafia e drejton qeverinë, e cilëson atë një regjim hibrid që thirret në emër të vlerave evropiane, ndërsa gjithë mandatin dhe fundin e tij e karakterizojnë veprime dhe skandale në kundërshtim me këto vlera, sipas opozitës shqiptare.
Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet e shikon si dështim të një nisme regresive atë të opozitës për rrëzimin e qeverisë, ndërsa thotë se u dëshmua që forcat anti-NATO, anti-BE, dhe kundër miqësisë me Uashingtonin dhe Brukselin, nuk mund të ngadhnjejnë mbi rrugëtimin euro-atlantik të vendit.
Megjithatë, analistët vlerësojnë se kriza politike do të thellohet, teksa partitë në pushtet me një shumicë tepër të ngushtë në parlament do të kenë pengesa gjatë marrjes së vendimeve dhe për rrjedhojë zgjidhja e vetme do të jenë zgjedhjet e parakohshme parlamentare./VOA
10 orë ulur dëmtojnë zemrën edhe nëse merreni me aktivitete ...
Galaxy S25 Slim mund të vijë me një përmirësim të kamerës
Musliu në Köln të Gjermanisë: Përkrahja juaj është fitorja j...
Astrit Selmani gjen sërish golin dhe vazhdon me formë të lar...
Në prag të protestës së 26 nëntorit, Berisha: Nesër do të kr...
Ciolacu prin në zgjedhjet presidenciale të Rumanisë, sipas s...