Kryeministri kroat Andrej Pllenkoviq ka arritur në Serbi, më 23 qershor.
Në Mitrovicë të Sremit ai është takuar me peshkopin e Sremit, Fabijan Svalin.
Pllenkoviq, nga Mitrovica e Sremit do të shkojë në Suboticë, ku do të takohet me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq.
Pllenkoviq dhe Bërnabiq, me delegacionet e tyre, do të marrin pjesë në hapjen e Shtëpisë Kroate – Amëza (Matica) në Suboticë.
Në takimin e kryeministrave të Kroacisë dhe Serbisë do të marrin pjesë ministri serb për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Tomisllav Zhigmanov dhe ministrja për Integrime Evropiane, Tanja Mishçeviq, njoftuan nga Qeveria në Beograd.
Kjo është vizita e parë e Pllenkoviqit në Serbi që kur u bë kryeministër në vitin 2016.
Më 30 prill, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, vizitoi Zagrebin, ku së bashku me Pllenkoviqin, mori pjesë në Kuvendin e madh të Këshillit Kombëtar Serb, organizatë ombrellë e pakicës serbe në Kroaci.
Asokohe, ata theksuan rëndësinë e respektimit të të drejtave dhe përmirësimit të pozitës së minoritetit serb në Kroaci dhe minoritetit kroat në Serbi, si dhe paralajmëruan krijimin e një katalogu të çështjeve të hapura ndërmjet dy vendeve, me qëllim vazhdimin e zgjidhjes së tyre.
Marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Zagrebit i rëndojnë çështjet e pazgjidhura edhe 30 vjet pas luftës në ish-Jugosllavi.
Të dy vendet kanë kontest lidhur me përcaktimin e kufirit në Danub dhe nuk e kanë zgjidhur çështjen e sukcesionit – trashëgimisë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (SFRJ).
Ndër çështjet e hapura janë ndjekja penale e krimeve të luftës dhe gjetja e mbetjeve mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kroaci, gjatë viteve 1991-1995.
Në shkurt të këtij viti, kryeministri Pllenkoviq dhe presidenti serb Alleksandar Vuçiq u takuan në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku thanë se dëshironin marrëdhënie më të mira.
Vuçiq nuk ka qenë në vizitë zyrtare në Zagreb që nga viti 2018, kur u prit në kryeqytetin kroat nga presidentja e atëhershme Kolinda Grabar Kitarovq.
Dy vjet më herët, në vitin 2016, të dy ata nënshkruan Deklaratën për normalizimin e marrëdhënieve, në Suboticë.
Megjithatë, “normalizimi” nuk ndodhi dhe zyrtarët shkëmbyen fjalë të ashpra me njëri-tjetrin.
Gjatë vitit 2022, Vuçiq donte të bënte një vizitë “private” në Jasenovc, kompleks memorial kushtuar viktimave të krimeve ustashe nga Lufta e Dytë Botërore. Por, autoritetet në Zagreb nuk e lejuan atë, duke thënë se bëhej fjalë për vizitë të paparalajmëruar dhe në kundërshtim me protokollin.
Kjo u pasua me shkëmbim të notave diplomatike mes dy vendeve.
Kryeministri kroat Andrej Pllenkoviq mori pjesë në kremtimin e Krishtlindjeve ortodokse në janar të vitit 2023 në Zagreb, me zëvendëskryeministrin serb Ivica Daçiq./REL/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...